Bankat me më shumë klientë, sesa numri i banorëve të Kosovës

E publikuar: 04/11/2016 21:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rreth dy milionë llogaritet të jetë numri i klientëve në dhjetë bankat komerciale në Kosovë. Ky numër, është i përafërt me numrin e tërësishëm të popullatës së Kosovës.

Barazimi i numrit të klientëve të bankave me numrin e popullatës, nga zyrtarët e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës shpjegohet me faktin se një klient mund të posedojë më shumë se një llogari në këto banka.

Nga ky numër 1.8 milionë janë llogari individuale, kurse mbi 130 mijë llogari të bizneseve.

Sipas ekspertëve të ekonomisë dhe përfaqësueseve të Shoqatës së Bankave, ky numër i lartë është rezultat i stabilitetit bankar dhe flet për vetëdijesimin e qytetarëve që qarkullimi i mjeteve të bëhet në mënyrë ligjore.

Se në sistemin bankar nuk ka ndonjë indikacion që tregon turbulenca, flet edhe drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, (STRAS) Ibrahim Rexhepi.

Ai thotë se rritja e numrit të llogarive në institucionet financiare, është shenjë pozitive, pasi qytetarët dhe bizneset janë orientuar që qarkullimin e mjeteve ta realizojnë përmes kanaleve bankare, mënyrë kjo që largon nga informaliteti.

“Njëkohësisht, këtu ka ndikuar edhe zgjerimi i objektit të bankave dhe begatimi i ofertave të tyre, qoftë përmes kostos së shërbimeve, të cilat pa marrë parasysh se herë kanë ngritje e herë kanë rënie, megjithatë janë të pranueshme për klientët”, ka thënë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe drejtori ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se sistemi bankar në Kosovë është i qëndrueshëm, stabil dhe likuid.

Ai mendon se gjatë këtij viti ka pasur edhe rritje të kredive për shkak të uljes së kamatave të interesit për kredi.

“Sipas rënies së normës është rritur edhe mundësia e kreditimit. Është një kreditim prej 9. 5 për qind që është kreditimi më i madh në tri vitet e fundit. Kjo do të thotë se qytetarët dhe bizneset po i përgjigjen pozitivisht rënies së normës se interesit në kredi”, ka thënë Balija.

Bazuar në raportin e publikuar të premten nga Banka Qendrore e Kosovës, thuhet se rreth 2.2 miliardë është vlera e kredive, kurse mbi 2.7 miliardë euro ka arritur vlera e kursimeve të qytetarëve në këto institucione financiare.

Në anën tjetër, në një përgjigje me shkrim, përmes postës elektronike, Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, thotë se vetëm gjatë këtij viti, rreth 400 mijë individ kanë përfunduar apo kanë kredi aktive, ndërkaq rreth nëntë mijë është numri i bizneseve që figurojnë se kanë marrë apo janë më kredi.

Normat për kredi familjare, në këto institucione janë rreth 8 për qind, kurse për ndërmarrjet 6.9 për qind. Ndërkaq, norma në depozita është një për qind.

Me gjithë uljen e normave të interesit, Ibrahim Rexhepi, vlerëson se institucionet financiare bankare kanë edhe më tej hapësirë që të përmirësojnë procedurat për kredi për biznese.

“Kredi nuk merr ai që nuk ka para, ai që nuk ka mundësi pagese. Rritja e kredive, e kam fjalën tek ekonomitë familjare, tregon se njerëzit kanë një burim stabil të të ardhurave dhe mundësi kthimi të këstit të kredisë”.

“Ndërkaq, sa u përket bizneseve sado që kanë rritur kërkesën, megjithatë ka hapësirë që të krijohet një mënyrë më liberale. Kryesisht, për bizneset e reja, të cilat e kanë vështirë që të shfrytëzojnë huamarrjen nga bankat”, shprehet Rexhepi.

Aktiviteti i bankave komerciale, si një nga sektorët më profitabil në Kosovë, dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë. Nga totali i kredive, 65.2 për qind janë kredi për ndërmarrjet. (REL)