Qytetarët sirianë po ndihen gjithnjë e më të braktisur nga bota, ndërkohë që ky konflikt hyri në vitin e tij të pestë, deklaroi të martën sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, në raportin e tij të fundit mbi situatën humanitare në Siri.
Ky raport mbi sgjendjen e sirianëve, që mbulon periudhën 1 dhjetor – 28 shkurt, duhet të diskutohet të enjten nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
“Aktorët humanitarë vazhdojnë t’u japin ndihmë miliona njerëzve në nevojë, por detyra e tyre është gjithmonë shumë më e vështirë dhe e rrezikshme për shkak të dhunës dhe pasigurisë në vend dhe pengesave të vendosura nga regjimi sirian dhe grupet e armatosura”, theksoi Ban Ki-Moon.
Raporti prek në mënyrë të veçantë DAESH-in, që e detyroi Programin Botëror të Ushqimit të ndërpresë aktivitetet e tij në veri dhe lindje të Sirisë, zona të kontrolluara nga kjo organizatë terroriste.
Pavarësisht kësaj, raporti vë në dukje se një numër në rritje i kolonave humanitare hyjnë në Siri nëpërmjet shteteve fqinje si Turqia dhe Jordania.