I dashur Zoran,
Po e filloj nga fundi i letrës suaj. Kur vjen puna te marrëdhëniet mes dy vendeve tona, ne i kërkojmë shembujt frymëzues në Europë, sidomos te Franca e Gjermania që patën fuqinë të hidhnin pas shpine një histori të gjatë luftërash e konfliktesh mes tyre. Të gjithë i janë referuar këtij shembulli për të treguar se gjërat e pamundura mund të bëhen të mundura. Mirëpo, unë jam po aq pesimist sa ju. Nuk shoh vullnete lokale që të jenë të prirura për të ecur në këtë drejtim. Unë njoh fare pak njerëz që e duan fillimin e një ere të re në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Serbisë. Përkundrazi, të shumtët e njerëzve duket se janë të interesuar për ta mbajtur e ushqyer këtë klimë tensioni e konflikti që ekziston.
Unë e dija këtë gjë prej kohësh, por u bë shkak edhe ky komunikim mes nesh që të kuptoj përmasat e vërteta të frymës së urrejtjes që ekziston. Në këtë atmosferë, ky letërkëmbimi ynë ngjan si punë alienësh. Vetëm ndonjëri tek-tuk më është shprehur se ky komunikim mes kolegësh është një gjë pozitive. Të tjerët, në rastin më të mirë e quajnë të dobishëm ngaqë është i nevojshëm, por në të njëjtën kohë e quajnë të dëmshëm ngaqë është i parakohshëm (është interesante kjo përpjekje për t’ia asociuar dëmin nevojës). E në rastin më të keq e shohin si pjesë të një konspiracioni të madh.
Një koleg i yni, kosovar, e shihte këtë letërkëmbimin tonë si një nismë të OSBE-së në Beograd për të pajtuar me pahir dy kombe që janë armiq, dhe për këtë – kështu thoshte ai – kanë gjetur dy gazetarë, një në Beograd e një në Tiranë, që janë të gatshëm të flasin keq për vendet e tyre në këmbim të një pagese. Sa dëshpëruese e gjitha kjo! Por është gjysma e së keqes, sidoqoftë. Edhe mund të na quante spiunë, mua një spiun serb, e ju një spiun shqiptar. Nuk e di se ç’ndodh në Serbi, por në Shqipëri ekziston një paranojë e tërë mbi spiunët serbë. Kjo paranojë e ka burimin që nga koha kur UDBA jugosllave hahej me Sigurimin shqiptar. Dhe dihet që UDBA ka qenë më e avantazhuar në këtë lojë, jo vetëm se ka qenë më e sofistikuar (forca e eficienca e saj ka qenë legjendare gjatë kohës së Luftës së Ftohtë), por edhe sepse kishte në dispozicion rezervuarin shqiptar të Kosovës për ta përdorur për qëllimet e veta. Kështu është besuar nga Tirana zyrtare, sidoqoftë. Pas prishjes me Beogradin, Enver Hoxha e të tijtë i kanë parë kosovarët si spiunë të Serbisë. Çfarë nuk kanë hequr shqiptarët e Kosovës! Keq andej, keq këtej.
Vijon edhe sot e kësaj dite kjo paranojë. “Spiun serb” është një damkë që jepet për hiçmosgjë majtas e djathtas. Lëre pastaj kur gjendet një arsye. Siç është gjendur për Sali Berishën, i cili ka gruan me origjinë serbe. Ajo quhet Liri, por detraktorët e thërrasin në versionin serb: Sllobodanka. Dhe Berisha e ka vuajtur këtë kompleks, i cili i është theksuar edhe prej një thashethemi urban (të kuptohemi, nuk ka as provë, as gjasë që kjo të jetë e vërtetë) që thotë se ai ka qenë agjent i UDBA-s në rininë e vet dhe se ka qenë UDBA që ka rregulluar edhe martesën e tij me Lirinë/Sllobodankën. Për të dëshmuar se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë histori, Berisha ka bërë çmos të dallohet mbi të tjerët si antiserb. Nuk lë rast pa marrë poza antiserbe. Mirëpo, edhe duhet kuptuar, i shkreti. Damka e spiunit serb, siç ju thashë, është shumë penalizuese për një politikan shqiptar. Të kesh qenë, apo të jesh, spiun i serbëve, është shumë më e rëndë se sa të kesh qenë sigurims antiamerikan, siç ka qenë ai shqiptari i vogël te Simpsonët. Meqë ra fjala, unë nuk e dija se te Simpsonët qenkësh folur edhe për një shqiptar të vogël, një spiun të Sigurimit që donte të vidhte sekrete ushtarake të SHBA-ve. Ishte hera e parë që e dëgjoja këtë gjë nga letra juaj. Dhe është pak e habitshme kjo gjë, pasi ne shqiptarët nuk lëmë të na shpëtojë asgjë prej asaj që thuhet për ne nëpër botë.
Por po kthehem te paralelja me modelin e marrëdhënieve Gjermani-Francë. Kur vjen puna te krahasimi me Europën, shqiptarët tregojnë kujdes që të mos ngatërrojnë dëshirat me realitetin. Këtyre anëve tona është besuar qysh në krye të herës se “Shqipëria është një Zvicër”. Të parët që e kanë thënë këtë kanë qenë vizitorët e udhëtarët perëndimorë të fillim shekullit XIX. “Zviceranët e Orientit” i ka quajtur shqiptarët gjeologu austriak Ami Boue, dhe ngjashmërinë e ka gjetur te tiparet fizike e te natyra mercenareske. Të tjerë e kanë gjetur ngjashmërinë te gjeografia, te pyjet, te malet, tek ujërat. Të tjerë akoma këtë ngjashmëri me Zvicrën e kanë parë në të gjithë Ballkanin. “Ballkani është një Zvicër në miniaturë”, ka shkruar admirali britanik Adolphus Slade.
Pionierët e Rilindjes shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XIX janë entuziazmuar nga ky krahasim. “Me pak qytetërim më tepër… Shqipëria jo vetëm që nuk do ta kishte zili Zvicrën, por edhe do ta kalonte atë nga pikëpamja e bukurisë, forcës, poezisë”, ka thënë shkodrani Pashko Vasa, që në versionin osman quhej Vaso Pasha. Ndërsa Faik Konica, një tjetër eksponent i Rilindjes sonë kombëtare, i frymëzuar nga kjo paralele midis Zvicrës e Ballkanit, nuk e kishte për gjë të fliste për një Federatë ballkanike. Nuk e shihte të lehtë këtë punë, pasi ishin pengesë së pari, fuqitë e mëdha europiane që “duan t’i rregullojnë punët sipas qëllimeve e interesave të tyre”, e së dyti, ndjenja individualistike e fortë dhe gjuhët e veçanta të kombeve ballkanike. E kishte tjerrë aq gjatë këtë punë, sa kish menduar edhe për kryeqytetin e Federatës dhe për zgjidhjen e problemit të gjuhës. Për kryeqytet federativ mund të zgjidhet ndonjë vend në Maqedoni, thoshte ai. Ndërsa si gjuhë zyrtare të Federatës ballkanike parapëlqente anglishten. Dhe këto mendime i ka shprehur në vitin 1922, kur plagët e Luftës I Botërore që ballkanasit i kishin shkaktuar sho-shoqit ishin ende të freskëta e kur ishte krijuar ndërkohë një Federatë, Mbretëria e serbëve, kroatëve e sllovenëve. Kjo e fundit, e emërtuar Jugosllavi pak më vonë, ka rënë në mënyrë të potershme tanimë, pas luftërave të përgjakshme. Për rrjedhojë, kjo ide për një federatë ballkanike duket se është komprometuar keqazi. Edhe për shumë kohë, nuk do të guxojë njeri këtyre anëve që të flasë për një Federatë Ballkanike. Askush nuk e do. Sepse do të ishte e pamundur një gjë e tillë. Ashtu siç është e pamundur që Shqipëria/Ballkani të bëhen si Zvicra. Ballkani, ç’është e vërteta, e ka potencialin të bëhet një qoshe e begatë dhe e paqtë e botës, por është historia që na është kapur te këmbët si një gjyle e rëndë. Jemi edhe ne që nuk kemi as dëshirë, as vullnet të përballemi ashtu si duhet me këtë histori. Nuk kemi as inteligjencën për të kuptuar se e mira e askujt në Ballkan nuk mund të ngrihet mbi të keqen e tjetrit.
Lëri të tjerat, por është dhe një kontekst europian që dominohet nga shpërbërja, e që për këtë shkak nuk favorizon projekte bashkëjetese. BE-ja po jeton kohët më të këqija e më të pasigurta qysh prej themelimit të vet. Britanikët morën vendimin për të dalë nga BE-ja. Ndërsa katalanët duan t’u njihet e drejta e shkëputjes prej Spanjës. Madje, ata pretendojnë se e thanë fjalën e tyre në referendumin e organizuar, gjë që i ka futur në konflikt me qeverinë qendrore në Madrid. Bota është e ndarë më dysh në këtë çështje. Një pjesë po shprehin simpati për kauzën katalanase, dhe pjesa tjetër e shohin pavarësinë e Katalonjës si një minë që i vihet projektit të Bashkimit Europian. Shqiptarët do duhej të ishin rreshtuar në favor të kauzës katalanase, por nuk ka ndodhur kështu. Politika zyrtare në Tiranë e në Prishtinë nuk kanë mbajtur anë në këtë histori. Madje, edhe përpjekja e politikës serbe për të vënë shenjën e barazimit midis Katalonjës e Kosovës nuk është se ka provokuar ndonjë reagim kushedi në botën shqiptare (ndoshta ngaqë jehona ndërkombëtare e kësaj teze është e pandjeshme). Hashim Thaçi u mjaftua të thoshte se “Spanja nuk është Serbi, e Katalonja nuk është Kosovë”. Ndërsa Haradinaj tha si shkarazi gjatë një interviste për radion Europa e Lirë se paralelja mes Katalonjës e Kosovës që aq shumë pëlqehet në Beograd, “nuk ndihmon në krijimin e një klime të përshtatshme”. Kaq. Nuk janë zgjatur më shumë.
Në Tiranë, politikanët nuk janë shprehur fare. Por edhe media nuk ka pasur ndonjë fokusim kushedi se çfarë. As në diskutimet nëpër studio televizive nuk janë marrë me këtë çështje. Janë shtatë televizione, më të rëndësishmit e vendit, që organizojnë ditë për ditë, në prime time, debate politike (kështu është edhe te ju?), por tema e Katalonjës, në dijeninë time, nuk është trajtuar në asnjë rast. Edhe kolumnistët nuk e kanë preferuar këtë argument për shkrimet e tyre. Për të mbushur një boshllëk, gazetat kanë përkthyer e publikuar artikuj të analistëve perëndimorë mbi këtë temë, por merret vesh se këta artikuj janë zgjedhur me synimin për të evidentuar disa tipare jo kosovare të rastit “Katalonja”, siç është fakti që Katalonja është një nga krahinat më të pasura të Spanjës, fakti tjetër që ideja e Katalonjës së pavarur ka mbështetjen e vetëm gjysmës së katalanasve, dhe e fundit – por jo më pak e rëndësishmja – fakti që Katalonja nuk ka parë keq prej regjimit të Madridit.
Siç shihet, këndvështrimet janë të ndryshme. Ne, i dashur Zoran, jemi si ata jack-ët e kartave të bixhozit, që e shohin botën, por edhe njëri-tjetrin, nga pozicione të kundërta. Jemi të lidhur në të njëjtën kartë, sidoqoftë. Ky ka qenë fati ynë, të cilit nuk mund t’i ikim. Dhe është kjo e fundit që ka më shumë rëndësi.
/Teksti është komunikim me letra publike midis Mustafa Nanos e Zoran Panoviçit, që shkruan për Danasin
/Mapo.al