Vazhdojnë akuzat kundër Ismail Morinës-Ballistit.
Gazetari nga Shqipëria, Kastriot Myftaraj, ka vazhduar me akuzat e tij për Ismail Morinën-Ballistin.
Myftaraj tani ka shkruar në Facebook se Ballisti kohë më parë e kishte quajtur Kosovën-Serbi.
Lexojeni postimin e Myftarajt:
“Përshëndetja e Ismail (Ballist) Morinaj për Klubin e natës “Moska” në Tiranë, ku e quan Kosovën Serbi dhe e fton Rusinë të djegë flamurin shqiptar
Për të parën deklaratë publike të tij Ismail (Ballist) Morinaj ka zgjedhur një klub nate në Tiranë që mban emrin e Moskës, kryeqytetit të Rusisë, aleates së madhe të Serbisë. Moscow Club Tirana është promovuar në 18 tetor, katër ditë pas ndeshjes Serbi-Shqipëri dhe pikërisht në ditën kur Presidenti rus Putin gjendej ende në Beograd për vizitë. Në dhjetor 2014 Ismail Morinaj ka publikuar një videoregjistrim ku ai shfaqet për t’ i dërguar një përshëndetje Moscow Club Tirana, nga jashtë Shqipërisë, duke shprehur keqardhjen që nuk mund të gjendet në një pritje atje. Videoregjistrimin mund ta shikoni nëse do të shkruani në Youtube:
Ballist Morina for MoscowClubTirana
Në videoregjistrim, ku Morinaj nis të flasë që nga sekonda e 25, ai e quan Klubin e natës “Moska” si “klubin më të fortë”. Arsyen nuk e thotë por meqënëse Morinaj e ka bërë praktikë të flasë me aluzione dhe dronin ai nuk e ka marrë përsipër me një deklaratë të drejtpërdrejtë publike, por me disa video me aluzione, të cilat nesër mund t’ i mohojë në çdo kohë, arsyeja për këtë cilësim që ai i bëri klubit të natës “Moska” në Tiranë është se për Ismail Morinajn Rusia është vendi më i fortë. Është i njëjti stil i bannerit të dronit ku nuk kishte një mbishkrim arabisht për të thënë që ai ishte flamuri i zi i ISIS, por ishin mjaftuar me flamurin e zi që ka një simbolikë të qartë për botën që kupton nga simbolikat. Nëse banneri i dronit do të ishte një flamur i zi islamik me mbishkrim arabisht xhihadik, dhe me hartën e një shteti islamik ballkanas që nga Bosnja në Shqipëri, me Kosovën, Sanxhakun dhe pjesën shqiptare të Maqedonisë, shqiptarët sigurisht që do ta quanin provokim këtë gjë, dhe as vetë islamikët shqiptarë nuk do të guxonin të shprehnin entusiazëm publik. Serbia nuk do të mund ta bënte botën kështu që të besonte se shqiptarët me atë që e quajnë Shqipëria Etnike kuptojnë një khalifat islamik ballkanik. Prandaj Serbia bëri një banner të zi, që të krijonte përshtypjen e flamurit të ISIS dhe në qendër të tij vuri hartën e Shqipërisë Etnike, por të zgjeruar edhe me Sanxhakun islamik, duke aluduar kështu se ky do të ishte ura lidhëse me Bosnjën e Shqipërisë Etnike muslimanë, pra khalifati i ri ballkanik.
Morinaj, në vazhdim të fjalës së tij shprehu keqardhjen që siç thotë ai “për fakte që tani ne të gjithë i dimë prezenca ime nuk është e mundur”.
Nuk kuptohet se përse prania e tij nuk ishte e mundur në Tiranë, në dhjetor, kur ndaj tij nuk kishte një urdhër arrestimi ndërkombëtar të nxjerrë nga Serbia, që do ta kishte detyruar shtetin shqiptar ta ekstradonte për të mos e marrë përsipër aktin e pretendduar nga Morinaj. Morinaj flet për “fakte që të gjithë i dimë”, sipas mënyrës së tij djallëzore për të aluduar autorësinë e ngritjes së dronit në Beograd, por për të mos e marrë përsipër atë me një deklaratë të drejtpërdrejtë.
Morinaj, më tutje thotë se një biznismen serb ka vënë një çmim prej një milion euro për vrasjen e tij. Ky thashethem i pakonfirmuar nuk i bën aspak përshtypje Morinajt. Ai reagon për të duke thënë për serbët se: “Falenderoj fqinjët e mirë (këtu bën me gishta shenjat e thonjzave- K.M.) të cilët po na bëjnë një reklamë gratis të papame por asnjë vlerë monetare nuk krahasohet me zemrën e mbi 12 milionë shqiptarëve të cilët i kam me vete.”
Morinaj në këtë fjali shprehet krejt pa lidhje logjike, se ai në fillim thotë që shuma prej një milion euro është vënë si shpërblim për vrasjen e tij, e pastaj flet sikur kjo shumë është vendosur si shpërblim për të, që ta blerë Serbia. Se çfarë kuptimi tjetër mund të ketë kur thotë se “asnjë vlerë monetare nuk krahasohet me zemrën e mbi 12 milionë shqiptarëve”? Këto fjalë duheshin thënë nëse atij i qe ofruar kjo shumë nga serbët për ta blerë, por ai nuk e pranonte se nuk e shet zemrën e 12 milion shqiptarëve.
Në të vërtetë thashethemi, ose edhe bluffi serb për çmimin e vënë nga një biznismen serb për kokën e Morinajt, është sajuar për shkak se Serbia, ndonëse e fajësoi Morinajn për dronin, nuk nxorri urdhër arrestimi ndërkombëtar për të, çka e kompromentonte atë si agjent serb. A nuk është domethënëse që Morinaj i përgjigjet biznismenit serb nga Klubi i natës “Moska”, të cilin madje e quan klubin më të fortë?
Nga fjalët e mësipërme të Morinajt u duk se ai më tepër donte të thoshte se ai nuk ka marrë një milion euro nga serbët për atë që bëri në Beograd, se që serbët kanë vënë një çmim për kokën e tij.
Pasi u bën një përshëndetje të veçantë organizatorëve të party në Moscoë Club Tirana, domethënë pronarëve të klubit “Moska”, Morinaj thotë se: “Për të justifikuar pozitivisht mungesën time sonte kam vendosur t’ u bëj një dhuratë e cila është flamuri jonë kombëtar.”
Kuptohet se këtij njeriu artikulimi i të cilit tregon se është injorant, ia kanë mësuar fraza të tilla si “për të justifikuar pozitivisht”. Cfarë kuptimi tjetër simbolik mund të kenë fjalët e Morinajt, të thëna në adresë të Klubit “Moska” përvecse që ai nuk mund të jetë i pranishëm në kryeqytetin rus Moskë, për t’ u pritur publikisht si hero? Pasi thotë fjalët e mësipërme, Morinaj nënshkruan flamurin kombëtar shqiptar.
Domethënë Morinaj, pasi e dërgoi në Beograd me dron një flamur të zi, brenda të cilit qenë kyçur simbolet kombëtare shqiptare, tani ia dorëzoi Moskës flamurin kombëtar shqiptar për ta… djegur.
Pasi nënshkruan flamurin, ai ngre gotën e me flamurin e zi të dronit dhe thotë duke uruar të pranishmit në Klubin “Moska”: “Festoni, çartuni, hallakatuni, digjeni!”
Fjala-kyç këtu është “digjeni”. Morinaj nuk tha drejtpërdrejt: “Digjeni flamurin shqiptar!” Këtu më duhet të rikujtoj se Morinaj e ka bërë praktikë të flasë me aluzione. Ai edhe autorësinë e ngritjes së dronit në Beograd nuk e ka marrë përsipër drejtpërdrejt, por vetëm me aluzione. Morinaj nuk mund t’ i thotë publikisht Rusisë që ta marrë e ta djegë flamurin shqiptar në Moskë, por ia thotë këtë në stilin e tij aludues, duke ia dërguar flamurin shqiptar të nënshkruar prej tij Klubit të natës “Moska” dhe pas këtij gjesti thotë në mënyrë lakonike katër fjalë, e fundit prej të cilave është “digjeni”. Nënkuptimi është se pas një orgjie të digjet flamuri shqiptar. Se kur ai ia dorëzon simbolikisht flamurin shqiptar Moskës, nënës së Beogradit, me këtë thotë se ia ka dhënë Rusisë flamurin kombëtar shqiptar, dhe çfarë do të bëjë Moska tjetër përveçse do ta djegë atë? Morinaj, pasi e dërgoi në Beograd flamurin e zi me dron, ia dorëzoi simbolikisht Rusisë flamurin kombëtar shqiptar për ta djegur.
Morinajt nuk i duhet flamuri kombëtar shqiptar, i shtetit dhe i kombit shqiptar, i Shqipërisë Etnike, se tashmë ka flamurin e dronit, flamurin e zi islamik të ISIS, ku shqiponja e zezë është kyçur në një hartë të kahlifatit islamik ballkanas që e ka zgjeruar deri në kufirin e Bosnjës kufirin e Shqipërisë Etnike, duke përfshirë edhe Sanxhakun, me synimin e qartë për të bërë Sanxhakun një urë lidhëse për ta bashkuar Shqipërinë me Bosnjën në një shtet islamik ballkanik.
Në videoregjistrimin e mësipërm, Morinaj tha për serbët “Falenderoj fqinjët e mirë (këtu bën me gishta shenjat e thonjzave- K.M.) të cilët po na bëjnë një reklamë gratis të papame.”
Morinaj është shtetas i Shqipërisë dhe po i dërgonte një kumt një klubi në kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë. Ky superatdhetar supozohej që ta dinte se Serbia nuk është shtet fqinj me Shqipërinë se mes dy shteteve gjendet Kosova. Njeriu i cili di të përdorë fraza të tilla si “për të justifikuar pozitivisht”, a nuk duhej ta dinte se Serbia nuk është vend fqinj i Shqipërisë?
Morinaj nuk mund ta thotë më qartë se sa e tha që për të Kosova është pjesë e Serbisë. Kur Serbia quhet vend fqinj i Shqipërisë në një përshëndetje për klubin e natës me emrin “Moska”, këtu vetëm serbofilët dhe idiotët bëjnë kinse nuk e kuptojnë se kemi të bëjmë me një agjent serb të udhëzuar që të flasë kështu. Morinaj e quan Kosovën Serbi në të njëjtin stil djallëzor, sic bëri drejtuesi i dronit, i cili e uli atë djallëzisht në atë mënyrë që banneri të shkonte në dorën e një lojtari serb, dhe kështu të ishin lojtarët tanë ata që të sulmonin ata serbë për ta marrë dhe kështu të dukje se lojtarët e kombëtares shqiptare shprehën përkushtimin e tyre ndaj flamurit të zi. Nëse droni do të ishte ulur atje ku qenë lojtarët shqiptarë, atëherë mund të thuhej se këta thjesht po e largonin nga fusha. Nëse lojtarët serbë do t’ i mësynin për t’ ua marrë, atëherë do të dilnin serbët si provokatorë. Gjithçka ishte e ndërtuar deri në detaje si provokim ndaj lojtarëve shqiptarë.
Nga fjalët që thotë Morinaj në këtë videoregjistrim kuptohet se ai është një injorant, i cili nuk ka asnjë gjasë që të ketë kryer në Beograd një operacion që edhe një 007 profesionist i klasit botëror nuk do të kishte mundur ta kryente. Ky injorant që shfaqet në video është njeriu i cili e drejtoi dronin në një performancë të cilën ia kanë zili drejtuesit profesionistë të droneve të rangut botëror?
Njeriu i cili shfaqet në videoregjistrim është krejtësisht i paaftë për të dhënë shpjegime të detajuara sesi mundi ta ngrinte dronin në Beograd dhe ta dërgonte në stadium. Njeriu i cili shfaqet në videoregjistrim është krejtësisht i paaftë për të përballuar një debat publik për këtë çështje.
Njeriu i cili shfaqet në videoregjistrim është instruktuar që të flasë në këtë mënyrë, ta quajë Klubin “Moska” më të fortin, çka nënkupton kumtin për shqiptarët se Rusia është vendi më i fortë, ta quaj Serbinë vend fqinj të Shqipërisë, dhe t’ i dorëzoi simbolikisht Klubit “Moska”, domethënë Rusisë, flamurin kombëtar shqiptar duke thënë që ta djegë, i thotë të gjitha këto fjalë si papagall, sipas udhëzimeve që ka marrë nga ata të cilëve iu shërbeu për të marrë përsipër ngritjen e dronit në Beograd. Përshëndetja e Morinajt për klubin e natës me emrin e kryeqytetit të Rusisë është në njëfarë mënyre shpërblimin që merr skuadra e ekspertëve të shërbimeve të fshehta ruse, të cilët gjendeshin në Beograd ditën e ndeshjes Serbi-Shqipëri, me rastin e përgatitjeve për vizitën e Putin në Beograd dy ditë më pas, dhe që kanë bashkëpunuar në operacionin e dërgimit të dronit në stadium.
Kur gjatë Luftës së Parë Ballkanike, në 1912, ushtria serbe pushtoi Prizrenin, në Lumë (Kukës), vendlindjen e Ismail Morinajt, agjentët serbë për të sabotuar qëndresën e lumjanëve hapën fjalë se ushtria otomane jo vetëm nuk ishte thyer por po marshonte fitimtare në Nish. Në ndërkohë serbët qenë duke bërë masakrat e para në fshatrat e Lumës që gjenden në Kosovën e sotme. Këta agjentë serbë hapnin fjalë se ushtria serbe ishte shpërndarë si kopeja e deleve kur msyhet nga ujku, përballë ushtrisë osmane dhe e bënin shumë të lehtë fitoren. Këta tradhtare qenë argatë të Serbisë, të ngjashëm me Ismail Morinajn që bën kinse e ka kryer shumë lehtë operacionin e ngritjes së dronit në Beograd, ndonëse nuk jep shpjegime sesi mundi ta bëjë këtë gjë. Lumjanët dëgjonin përrallat e këtyre agjentëve të Serbisë, dhe nuk çoheshin të përgatisnin qëndresën. Atyre që iu thoshin se ushtria serbe kishte pushtuar Prizrenin, i vinin në lojë madje i quanin tradhtarë, agjentë të Serbisë, të cilët nxisnin panik. Na jepni prova, u thoshin argatët e Serbisë këtyre njerëzve që thoshin se ishte pushtuar Prizreni, ndonëse për vete nuk sillnin asnjë provë që ushtria osmane po fitonte luftën dhe kishte arritur në Nish. Nëse duhet të luftojmë do të luftojmë thoshin lumjanët e gënjyer nga propaganda serbe, por nuk është nevoja.
Atëherë doli një burrë lumjan, Ramadan Selmani, i cili u tha lumjanëëve që nëse donin të luftonin të çoheshin për të luftuar, se tashmë serbët kishin hyrë ndër fshatra dhe po bënin masakra ndër fëmijët dhe gratë. Kënga për Luftën e Lumës thotë: “Kur vikati o Ramadan Selmani,/ bini bre djem o këtij dushmani,/ bini bre djem o në dashti me i ra,/ se hyni Serbia nër cullë e nër gra.”
Kur lumjanët u çuan për të luftuar ushtrinë serbe në 1912, ata bënë një nga betejat më madhështore në në historinë e Shqipërisë. Lufta e Lumës, në fillim të nëntorit 1912, pati rëndësi ekzistenciale për shtetin e ardhshëm shqiptar, se marshimi serb në Adriatik u vonua me rreth dy javë. Nëse ushtria serbe nuk do të ishte thyer në Lumë, Ismail Qemali do ta kishte gjetur Durrësin të pushtuar nga serbët tashmë, kur arriti atje me anije. Nëse nuk do të kishte qenë fitorja e lumjanëve mbi serbët, pjesa më e madhe e delegatëve në Kuvendin e Vlorës, që shpallën pavarësinë nuk do të kishin mundur që të arrinin fare atje. Ushtria Serbe e pushtoi Prizrenin në fillim të nëntorit 1912 dhe përqëndroi atje forca të mëdha për të mësyrë nëpërmjet Lumës në bregdetin shqiptar. Në 9 nëntor lumjanët i ndalën serbët në Zhur e vazhduan luftën në Morinë e Kullën e Lumës. Njësi të ushtrisë serbe mundën të arrinë deri në pikëtakimin e Drinit të Bardhë me Drinin e Zi, por ato dhe krejt fuqia ushtarake serbe u detyruan të tërhiqen përsëri në Prizren me humbje të mëdha në 14 nëntor. Lufta e Lumës qe humbja më e madhe e Serbisë në Luftën Ballkanike. Sipas planit operacional të Komandës Serbe, forcat serbe të nisura nga Prizreni duhet të takoheshin në afërsi të Lezhës me ato të nisur nga Gjakova dhe këto dy fuqi të marshonin në jug për të marrë sa më shpejt Durrësin, objektivin kryesor të mësymjes serbe. Por kur forcat serbe të nisura nga Gjakova arritën në Mjedë në 16 nëntor, nuk takuan grupin tjetër mësymës serb të nisur nga Prizreni. Pushtimi i Lezhës u vonua deri në 20 nëntor, për shkak të qëndresës që u bë ndaj serbëve. Grupi mësymës serb i nisur nga Prizreni mundi të arrijë në Lezhë vetëm në 21 nëntor, pas një marshimi të shpejtë e shumë të lodhshëm, që e bëri të detyrueshëm një pushim për ushtarët. Vetëm në 24 nëntor Ushtria Serbe u nis të kapërcejë Lumin e Matit dhe në 29 nëntor pushtoi Durrësin. Nëse nuk do të kishte qenë për qëndresën e lumjanëve Durrësi do të ishte pushtuar që më 20 nëntor.
Edhe sot, si në atë kohë, shqiptarët e gënjyer nga një operacion i sofistikuar propagandistik serb, ashtu si lumjanët e asaj kohe nuk e shohin dot lojën serbe. PSYOP është një shkurtim në fjalorin e inteligjencës (shërbimeve të fshehta) për Psychological Operations, të cilët janë mënyra të PSYWAR (Psychological Warfare), ndryshe të Luftës Psikologjike. Operacionit psikologjike kanë synim që të shkaktojnë një reagim të caktuar kolektiv të popullsisë, të cilin normalisht ky grupim njerëzor nuk do ta kishte. Shpesh këta lloj operacionesh janë false flag operations, domethënë operacione të tilla që i ngarkohen atyre që në fakt nuk i ka kryer ato. Droni me bannerin në stadiumin e Beogradit, në ndeshjen Serbi-Shqipëri ishte një PSYOP i llojit false flag operation, i llogaritur ndër të tjera për të siguruar një reagim kolektiv shqiptar përpara botës që ndryshe shqiptarët nuk do ta shfaqnin kurrsesi.
Ata që e quajtën Morinajn hero dhe që shohin videon e mësipërme nuk mund të mos të ndryshojnë mendim për të, përveçse nëse janë islamikë, të cilët u lumturuan që panë flamurin e zi të ISIS në dron, si dhe Sanxhakun brenda kufijve të hartës të një Shqipërie Etnike të shndërruar në khalifat islamik ballkanik, ose nëse janë serbofilët shqiptarë. Ata që më kanë sharë për kallzimin penal që i kam bërë Morinajt, tash kanë detyrim që të japin një shpjegim për këtë video, ose të kërkojnë falje, kuptohet nëse nuk janë islamikë dhe serbofilë.
Pasi Morinaj tha “Digjeni”, ai e mbylli përshëndetjen duke ngritur një gotë të zezë ku ishte stampuar banneri i dronit dhe tha: “Gëzuar Autochthonous for life”.
Gota e tradhtisë është e zezë. Morinaj, ose më saktë ata që qëndrojnë pas tij mendojnë se idioti shqiptar, si individi përfaqësues i turmave shqiptare, është autokton dhe se atë mund ta manipulojnë përjetësisht.
Idioti shqiptar, si individi përfaqësues i turmave shqiptare të entusiazmuara nga Morinaj, e di se Moska është kryeqyteti i Rusisë, se Rusia është aleatja e madhe e Serbisë. Kjo gjë duhet ata bëjë dyshues duke e nxitur të mendojë pak më tepër për kumtin e Morinajt në video, ose së paku të lexojë shpjegimet për të. Kumti i Morinajt duhet të jetë edhe një provë shtesë për shtetin shqiptar që të bëjë hetime ndaj tij.
100 vite më parë Ramadan Selmani, të cilin e kam përmendur më lart, u vikati lumjanëve: “Bini bre djem, bini bre trema,/ti zemë serbët o nëpër xhuvena.”
Tash shteti shqiptar ka detyrim që ta hetojë këtë çështje, duke i kërkuar Serbisë zyrtarisht të dhëna për ngjarjet duke nisur që nga ato për detajet e planit të masave të sigurisë ditën e ndeshjes. Dhe pastaj duke i shqyrtuar këto të dhëna mbi dritën e fakteve të tjera, do t’ i kapim serbët ligjërisht me fakte “në xhuvena”, si thoshte në Luftën e Lumës luftëtari shqiptar Ramadan Selmani./Kastriot Myftaraj”.