Numan Baliq, i cili së fundmi u kthye në Qeverinë Haradinaj, si zëvendësministër në Ministrinë e Administratës Publike, sot u shkarkua.
Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit Haradinaj, tha për Koha.net se kjo u bë me vendim të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Koha.net gjithashtu merr vesh se Numan Baliq u shkarkua nga kjo pozitë si pasojë e ankesave të deputetëve boshnjakë.
Ndërsa vet Baliqi, përmes një postimi në Facebook, ka konfirmuar se shkarkimi i tij ka ardhur si pasojë e “insistimit” dhe “ultimatumit” të dhënë nga përfaqësuesit e koalicionit Vakat.
“Përfaqësuesit e Vakat-it, Rasim Demiri, Duda Balje, Çerim Bajrami dhe të tjerët nga grupi i tyre, që përmes mashtrimeve dhe tradhtive kanë uzurpuar të gjitha vendet e rezervuara të boshnjakëve në Parlament dhe në Qeveri të Kosovës, edhe njëherë e kanë dëshmuar se sa urrejtje e fanatizëm kanë ndaj boshnjakëve të vërtetë e meritorë, dhe mbijetesa e vazhdueshme e qeverisë së koalicionit me një shumicë të ngushtë prej 61 ligjvënësve u kushtëzua nga zëvendësimi i Numan Baliqit, rrjedhimisht përfaqësuesit të vetëm boshnjak në Qeverinë e Kosovës”, tha ai në postimin në Facebook në gjuhën boshnjake, raporton Koha.net.
Ai e ka quajtur këtë veprim të turpshëm që ka për qëllim zhdukjen e boshnjakëve nga Peja, Istogu, Mitrovica e Leposaviqi dhe ka thënë se është koha e fundit që boshnjakët të ngrenë zërin e tyre kundër shkatërrimit dhe zhdukjes së boshnjakëve nga këto pjesë të vendit.
“U bëj thirrje të gjithë boshnjakëve, si në Kosovë ashtu edhe në tërë Evropën dhe në botë, që të zgjohen dhe të kuptojnë se ka ardhur koha për t’u bashkuar, për t’u mbledhur dhe të bëjmë marrëveshje urgjente rreth hapave të përbashkët që do t’i ndërmarrim për mbijetesën tonë në Pejë, Vitomiricë, Istog, Leposaviq, Prishtinë, Gjakovë dhe në të gjitha vendet ku jetojnë boshnjakët etnikë, që flasin gjuhën e tyre amtare, boshnjake”, tha në fund ai.
















