E pabesueshme, 3 pikë të shtrenjta në startin e eliminatoreve të Botërorit 2018 për Shqipërinë që sfidoi mallkimin e motit të keq duke bërë një mrekulli në 15 minutëshin e ditës së dytë të “Loro Boriçit”. Djali i shtëpisë, Bekim Balaj shpërndau retë në qiellin shqiptar me një gol në frymën e fundit, më saktësisht në minutën e 89, duke veshur petkun e heroit të Shqipërisë në sfidën e luajtur për dy ditë. Një ndeshje e çuditshme por me fundin e lumtur pasi Shqipëria triumfoi 2-1 mes drithërimave dhe mbështetjes së atyre që sfiduan shiun edhe të martën në orën 14:00 për të mbështetur idhujt e tyre. Bekimi është njeriu që bekon rrugëtimin e Shqipërisë në këto eliminatore, ashtu si 2 vjet më parë në Portugali kur u dhuroi shqiptarëve atë fitore historike në tokën luzitane. Gjithçka nisi në kronometrin e ndalur 75 minuta e 45 sekonda. Ishin maqedonasit ata që dukej se kishin planifikuar deri në detaj strategjinë duke nervozuar herë pas herë lojtarët e Shqipërisë. Vonesa të panevojshme nga ana e skuadrës fqinje dhe shumë gabime në mesfushë për të besuarit e De Biasit. Shqipëria dukej pa busull dhe e pafuqishme për të shkelur gazin në maksimum pasi kronometri ishte i pamëshirshëm. Minutat rrodhën si pa e kuptuar deri në të 88-ën kur Agolli nga e majta e sulmit fitoi një gditje dënimi. Memushaj mori përsipër ekzekutimin dhe me një trajektore perfekte gjeti kokën e sulmuesit shkodran që ndezi festën në “Loro Boriçi”.
Që Shqipëria nuk ishte në ditën më të mirë u vu re vetëm pak sekonda më pas kur maqedonasit depërtuan në zonën kuqezi por Berisha bëri mrekullinë duke mos lejuar që kjo ndeshje të kthehej në një tragjedi.Një ndeshje e çmendur me sulme nga të dyja krahët sepse Maqedonia e hedhur e gjitha në sulm, la hapësira të mëdha në prapavijë. Sadiku kishte në këmbët e tij topin e golit të dytë por e djathta e bomberit shqiptar përfundoi ak centimatra larg shtyllës së Zahov.
Emocione të papërshkrueshme deri në vërshëllimën e fundit sepse kjo Shqipëri nuk dorëzohet kurrë. Djemtë e futbollit kuqezi sfiduan fatin, motin e keq dhe kronometrimin e pamëshirshëm të 15 minutave të mbetura, duke u dhuruar shqiptarëve një sukses historik. Shqipëria thyen mallkimin Maqedoni dhe siguron të parën fitore zyrtare ndaj Kombëtares fqinje duke marrë 3 pikëshin e parë në Grupin G, po aq sa Italia dhe Spanja.