Balaj, Bekimi që vjen kur duhet

E publikuar: 07/10/2016 14:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një tjetër gol për Shqipërinë, një tjetër britmë clirimi për Bekim Balaj-n. 23-vjecari konfirmon formën e tij të shkëlqyer edhe ndaj Lihtenshtejnit duke “vulosur” fitoren që con Shqipërinë në krye të grupit. Një gol me peshë, por për të arritur deri këtu edhe për Bekim-in nuk ka qenë e lehtë, i është dashur të kalojë vështirësi e të pranojë vendime, për t’u gjendur gjithmonë gati atëherë kur thërritet në mision duke treguar vlerat e tij. Vlera që padyshim nuk diskutohen, është ai njeriu i mrekullisë së Aveiros, që i hapi rrugën kualifikimit të Shqipërisë në Europianin francez.

Por pas atij goli në shtatorin e 2014-ës gjërat nuk shkuan si në vaj, gjatë eliminatoreve De Biasi preferoi Sokol Cikalleshin, për volumin që krijonte në sulm dhe kilometrat e përshkuar. Edhe në vigjilje të Euro 2016, nuk ishte momenti i tij, me Armando Sadikun që u ngjit në krye të hierarkisë të sulmit, duke justifikuar besimin me gola vendimtarë si ai që i dhuroi Shqipërisë fitoren historike ndaj Rumanisë, e para në një kompeticion madhor, ku Balaj u fut si zëvendësues në minutën e 59. Vetëm 30 minuta për të në Europian. Padyshim që do të kishte dashur të luante më shumë, por Balaj ka pranuar gjithmonë vendimet e trajnerit, si një profesionist i vërtetë, në pritje të momentit. Nëse punon një ditë do të vijë, dhe për Balaj-n erdhi ndaj Maqedonisë, u fut sërish nga stoli në minutën e 60 duke zëvendësuar Abrashin, dhe ishte pikërisht ai njeriu që zgjidhi gjërat me atë gol të artë në minutën e 89.

Ndoshta nuk është aq i bukur sa ai ndaj Portugalisë por peshon shumë, për kombëtaren dhe kuotat e Balajt që me Sadikun e dëmtuar ndaj Lihtenshtejnit e nisi si titullar. Besim i shpërblyer sërish, me një gol “Made in Shkodra” me Hysajn që i dhuroi atë asist perfekt dhe Balajn që nuk fali me kokë. Feston gjithë Shqipëria, feston padyshim dhe Balaj, ky është momenti i tij.