Bajrush Morina: Ta pshurrsha “demokracinë evropiane”, ta dhjefsha “vizën Schengen”! *1

E publikuar: 25/09/2016 12:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bajrush Morina

Ose, Ja se si mund trajtohet një qytetar i thjeshtë i Republikës së Kosovës, i pajisur me vizë Schengen, në pikën e parë kufitare aeroportale të një vendi evropian, nga dy police suedeze “bardh si bora” nga dy policë “gjermanë të trashë” apo nga dy policë “anglezë të gjatë”?!

“Hej Sir! Halo Hern! Hello Sir!”

Këto do të jenë përshëndetjet e para që do t’i pranojë një shtetas i thjeshtë i Republikës së Kosovës në pikën kufitare të një aeroporti evropian, në secilin vend të parë evropian të zonës Schengen.

Por pas pak sekondash, pasi polici kufitar do të marrë në dorë pasaportën tënde, pasi nja dy a tri here do t’i hedhë sytë për të qenë i sigurt se je ti ai i pasaportës, fillon “biseda informative” me policin a policen kufitare, ai ose ajo në kabinë e ti në rendin e pritjes. Prapa teje presin edhe dhjetëra udhëtarë të tjerë e ti ndalohesh dhe “merresh në pyetje”

– Ku po shkoni? Te kush po shkoni? A keni qenë më parë këtu? Me kend jeni takuar herën e fundit kur keni qenë këtu? Me kë do të takoheni këtu? Kush është personi që ju pret në aeroport? A ka numër të telefonit ai person? A mund të na jepni numrin e tij të telefonit? A keni rezervuar hotelin? A keni bërë sigurimin? Sa ditë do të qëndroni? Në cilin qytet planifikoni të qëndroni? A keni biletë kthyese? A keni kartelë internacionale bankare? Sa para cash i keni me vete? A mund të shoh biletën tuaj? A mund të shoh fletësigurimin tuaj? A mund të më tregoni paratë cash që i keni me vete?” …

Dhe derisa ti përballesh me këto pyetje, prapa teje zgjatet rendi i udhëtarëve të tjerë që presin kalimin kufitar në aeroport. Disa zgjasin kokën dhe të shikojnë më habi e madje edhe me dyshim. Ka edhe të atillë që largohen fare nga rendi i pritjes. Dikur njëri nga policët kufitar fton pasagjerët e tjerë të kalojnë në pikën tjetër të kontrollit të pasaportave. Në linjën e pritjes mbesësh vetëm ti dhe polici apo policja kufitare.

Pas pak vijnë dy police suedeze “bardh si bora”, ose dy “gjermanë të trashë” apo “dy anglezë të gjatë”. Me buzëqeshje artificiale femërore suedeze, me shikim e rëndë gjerman apo me urdhër të ftohtë anglezë të ftojnë të shkosh pas tyre.

Fillon seanca e dytë e marrjes në pyetje.

Të mbyllin në një dhomë të pritjes.

Më pas të sjellin bagazhin.

Të kontrollojnë e të zhveshin cullak siç të ka bërë nëna (nuk të bie ndërmend se a po t’i shikojnë pjesët intime të trupit tënd) të urdhërojnë të vishesh, me dorëza të plastikes ta sjellin valixhen në tavolinë dhe të buzëqeshin, (suedisht), të luten gjermanisht apo të urdhërojnë anglisht që ta hapësh bagazhin dhe një nga një t’ i ekspozosh të gjitha rrobat apo gjësendet në tavolinë. Të gjitha…madje edhe brekët e pizhamet e natës…

I tmerruar, i fyer, i poshtëruar, i nënçmuar nga ky trajtim policor evropian, kur ti tenton që me anglishten tënde solide, më gjermanishten halbe-halbe apo me suedishten më shumë me duar se sa me fjalë, interesohesh dhe pyet se përse gjithë ky kontroll policor, dy policet e bardha suedeze, dy gjermanët ” e zinj” e të trashë dhe dy anglezët e gjatë e të ftohtë akull, ta kthejnë secili në mënyrën e tyre me fjalët se “…ata po bëjnë punën e tyre, se ti duhet të jesh i qetë dhe se duhet të presësh këtu deri në vendimin tjetër policor”. Dhe kjo pritje mund të zgjasë deri në tre orë.

Dikur suedezet e bardha, gjermanët e trashë apo anglezët e gjatë do të ofrojnë pasaportën tënde dhe do të dëshirojnë secili në gjuhën dhe gjentilitetin e tyre “qëndrim të këndshëm në vendin e tyre evropian”

Çdo njeri normal gjatë kohës së këtij trajtimi policor evropian apo “bisede informative policore evropiane” do t’i pëlciste zemra dhe do të shpërthente me fjalët :“Ju lutem, ma ktheni pasaportën time, nuk po du me vizitu vendin tuaj, e kam biletën kthyese, po pres avionin tjetër në aeroport,,,ju lutem lermëni të kthehem në vendin tim!”

Por këto klithje tua mund të dëgjohen vetëm prej veshëve të tu. Dy policet e bardha suedeze, dy gjermanët e trashë apo dy anglezët e gjatë, tashmë kanë në dorë pasaportën tënde dhe ato apo ata vendosin për “fatin tënd” në zonën e pritjes kufitare në ndonjë nga aeroportet e ndonjë qyteti evropian ku ke zbritur nga aeroplani i linjës Prishtinë – Gothenburg, Prishtnë – Berlin apo Prishtinë -Londër!

INTERMEXO

(Krejt kjo odisejadë e “demokracisë evropiane” paraprihet nga një torturë paraprake që fillon që me marrjen e ftesës për vizitë, aplikimin për vizë, caktimin e datës së aplikimit në ambasadë, përgatitja e një krah dokumentesh, pasaporta, certifikata e lindjes, certifikata e gjendjes civile, gjendja bankare për 6 muajt e fundit, raporti i Trustit, raporti i Administratës Tatimore, dy fotografi, sigurimi së paku njëmujor, plotësimi i formularit për aplikim, caktimi i datës së aplikimit, pritja në rend për më shumë se dy a tri orë për intervistim në ambasadë dhe prapë pyetjet e mërzitshme siç janë edhe këto: A keni fëmijë jashtëmartesor në ndonjë vend evropian, a ka bashkëshortja juaj fëmijë jashtëmartesor në ndonjë vend evropian, keni kurorë apo bashkëjetoni me bashkëshorten tuaj, sa motra i keni, sa fëmijë i ka motra juaj e madhe, e dyta, e treta..e vogla! (Këto pyetje bëhën ne Ambasadën suedeze në Shkup!)

Stiga på! Eintrag! Entry!

Kur më në fund mendon se “trajtimi demkratik policor evropian” ka marrë fund, pasi takohesh në Aeroport me mikun, dhëndrin, motrën apo kushëririn i cili e ka humbur gjysmën e ditës së punës vetëm për ty, derisa e fut valigjen në veturë, prapë,,,ah prapë të afrohen dy suedeze të bardha si bora, dy gjermanë trashë nga 125 kilogramë dhe dy anglezë të gjatë nga 2 metra e 5 centimetra.

Tash këto ose këta janë civilë, por para se të kërkojnë pasaportën të tregojnë ID kartën e tyre policorë

– Hemliga polisen, vänligen!

– Kriminalpolizei bitte!

– Secret police, please!

Prapë të kërkojnë pasaportën. Kur miku yt, dhëndri yt, motra jote apo kushëriri yt interesohet të dijë arsyen e këtij kontrolli, ato “të bardhat”, ata “të zinjtë apo ata “të gjatë” ia kthejnë. “Po bëjmë punën tonë. Nuk kemi punë me ty! Rrini të qetë ju lutem!”

“Çka u bo more tash? Çka kanë more këta kështu? Mos më kanë përzi more me dikend tjetër?…” shpërthen ti me pyetje ndërkaq miku, dhëndri, motra apo kushëriri të luten “Aman mos u bon nervoz z.Bajrush! Mos bon ndonjë gjest pa lidhje se na lidhin të dyve. Pashë Zotin duro edhe pak. Këto -këta janë të rrezikshëm. Nuk janë si policia juaj në Kosovë. Këta na mshelin në burg! Duro edhe pak pashë Zotin. Kam me shku prapë në punë. I kam edhe njëqind punë. Mos se ti kthehesh e mua më del problem, (Baca Dush pash Zotin mos u përlaj me këta sa na i prishin edhe neve letrat!” të lutet motra me zë sa më të qetë që të ms dëgjojnë policet e bardha suedeze, policët e trashë gjermanë apo policët e gjatë anglezë!

*****

Kur merr fund edhe “trajtimi i fundit” policor evropian, i shqetësuar, i fyer dhe i ofenduar, nuk bën vërr me gojë gjatë takimeve me ata që të kanë ftuar apo ku je nisur për vizitë. Ata ose ato të pyesin “A muj erdhe? Si kalove rrugës? Si janë prindërit? Si është gruaja? Sa fëmijë i ke? Sa djem e sa vajza? A e ke martu ndonjë fëmijë? Si është koha atje “poshtë” në Kosovë? Sa don me ndejt? Sa ditë ke vizë?

Të gjitha këtyre pyetjeve miqësore ti u përgjigjesh shkurt: Mirë! Mirë! Mirë! Po ose Jo!

Pastaj me dorën e djathtë e prek xhepin e brendshëm të sakos (setrës) tënde për t’u siguruar a e ke pasaportën dhe biletën kthyese me vete! Dhe lutesh në vetvete: Zot bone mëngjes ma shpejt dhe ishalla gjej ndonjë lidhje aeroplani për t’u kthyer sa më parë në shtëpi!….

(Kjo nuk vlen për dy miqtë e mi të nderuar, Haki Gashin e Sabri Beqirin. Hakiun e ftoj me pi “supë me garuzhdë”, e Sabriun me “qu nga njo” te Litrat më 1 janar 2017)

******

Ja kjo është “demokracia evropiane” dhe liria e lëvizjes me Schengen vizë e një qytetari të thjeshtë të Republikës së Kosovës në një vend evropian.

Për lëvizjen e politikanëve të Kosovës nuk po flas sepse nuk e di!

Po flas për veten time!

Po flas me ndjenjën dhe mllefin tim: Ta pshurrsha “demokracinë evropiane”, ta dhjefsha “vizën Schengen”!

*1 P.S. Kërkoj falje nga lexuesit e mi për përdorimin e dy fjalëve të ndyta, (ta pshurrsha, a dhjefsha) që nuk janë pjesë e fjalorit tim të përditshëm, por përballë trajtimit “demokratik” policor evropian, këto dy fjali po më duken fjalë përshëndetëse për ato ose ata!