Nuk jam votues i AAK-së, nuk e kam votuar as zgjedhjet e kaluara e as më 11 Qershor. Vota ime ka shkuar “te vendi” aty ku kam votuar tradicionalisht! Dihet!
Por në rrethana të tjera, po të rreshtoheshin komandantët e UÇK-së në një parti politike atëherë përveç Rrustem Berishës e Anton Qunit (komandantëve të mi) padyshim se të tretin e kisha votu Ahmet Isufin.
Ja pse?
Për Ahmet Isufin!
Aq sa e njoh, dhe pretendoj se e njoh relativisht mirë, Ahmet Isufi është ndër komandantët e UÇK-së i Zonës së Anamoravës, i cili pas lufte nuk është krenuar me këtë veprimtari të tij ushtarake, nuk ka përfituar nga kjo pozitë e lartë ushtarake, nuk ka uzurpuar asnjë pronë publike apo private, nuk ka pëfituar nga asnjë proces i privatizimit të pasluftës, nuk ka as shtëpi, vilë a banesë milionëshe, nuk ka xhirollogari të majme në bankat në Kosovë apo jashtë saj, nuk është korruptuar në pozitën e ministrit të Qeverisë Haradinaj, madje është ndër ministrat e vetëm të AAK-së i cili, në shenjë solidarizimi me Ramush Haradinajn, dha dorëheqje nga pozita e ministrit të Ministrisë së Punës e Mirëqenies Sociale në momentin kur Haradinaj si kryeministër u detyrua të japë dorëheqje për shkak të përballjes me Tribunalin e Hagës, (rasti i parë që një ministër të japë dorëheqje pa kurrfarë përgjegjësie, më pas do të kemi dhe ministrin Fatmir Rexhepi), vazhdon të mbetet njeriu më besnik i liderit të AAK-së Ramush Haradinajt.
Këto janë vetëm disa prej shumë vetive që Ahmet Isufin e bëjnë të veçantë nga zyrtarët e lartë të AAK-së dhe krejt ndryshe nga komandantët e “Shtabit të milionerëve të UÇK-së”.
Prandaj ata që e kanë votuar Ahmet Isufin, një komandant të një Zone të UÇK-së, një njeri me ndërgjegje, moral e duar të pastra, një zyrtar qeveritar që do të mbetet si shembull se si largohen nga lakmia e pushtetit, pa pasur kurrfarë përgjegjësie, vetëm në shenj të solidaritetit moral e politik me fatin e liderit të partisë së tij, kanë votuar për të ardhmen e AAK-së.
Zgjedhje e Ahmet Isufit deputet e nxjerrë AAK-në nga “vorbulla krahinore e farefisnore” e zgjeron shtrirjen e kësaj partie edhe në Anamoravë. Me Ahmet Isufin deputet, AAK-ja është parti “përtej Zonës” së Dukagjinit, është parti e krejt Kosovës
P.S. Sa për sqarim!
Ahmet Isufin ka muaj që nuk e kam takuar. Herën e fundit kemi qenë në një debat në Klan Kosova ku më shumë jemi kundërshtuar se sa që jemi pajtuar. Nuk e kam as numrin e tij të telefonit dhe as në ndonjë lidhje të afërt familjare!/botapress/