Bajrami: Vetëvendosje po e çon vendin drejt përmbysjes së rendit kushtetues

E publikuar: 06/07/2025 20:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e dërgon vendin drejt përmbysjes së rendit kushtetues.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami tha se me 34 votime të dështuara është bërë e qartë se deputetët janë kundër formimit të komisionit për votim të fshehtë dhe kundër zgjedhjes së Haxhiut si kryetare e Kuvendit, transmeton KosovaPress.

“Gjykata Kushtetuese ka sqaruar qartë se deputetët janë të lirë të votojnë sipas vullnetit të tyre e jo sipas direktivave të Albin Kurtit. Me 34 votime të dështuara, deputetët e kanë treguar hapur se janë kundër formimit të komisionit për votim të fshehtë, rrjedhimisht kundër vetë votimit të fshehtë dhe kundër zgjedhjes së Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit”, ka shkruar ajo.

Tutje sipas saj ky skenar mund ta dërgojë vendin në përmbysje të rendit kushtetues, teksa paralajmëroi se një gjë e tillë mund të ketë pasoja të rënda për të gjithë.

“E gjithë kjo qasje po e çon vendin drejt përmbysjes së rendit kushtetues, dhe kur kjo të ndodhë, pasojat do të jenë shumë më të rënda për të gjithë. Për këtë situatë, përgjegjësia bie plotësisht mbi LVV-në”, shkruhet në postimin e Bajramit në Facebook.

Kujtojmë se vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është nesër nga ora 11:00.