Në 17-vjetorin e themelimit të PDK-së, nënkryetari i kësaj partie, Arsim Bajrami, ka thënë se ky subjekt politik ende ka energji për fitore të reja.
Ai ka thënë se, përkundër tre mandateve të qeverisjes, PDK-ja vazhdon të jetë partia më e besueshme në vend.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Bajrami ka vlerësuar se PDK-ja është e gatshme edhe për mandatin e katërt qeverisës.
Bajrami, i cili është një nga themeluesit e kësaj partie, ka treguar se në rrugëtimin e saj PDK-ja ka ndryshuar profilin e saj politik, por çdoherë ka qenë konstruktive karshi proceseve të shtetndërtimit dhe stabilitetit të vendit.
“Ajo që është tipike për PDK-në është përgjegjësia e saj ndaj shtetndërtimit dhe ndaj interesave shtetërore. Në këtë drejtim, PDK-ja është treguar një parti e përgjegjshme, duke bërë kompromiset e nevojshme në dobi të përfshirjes së të gjithë spektrit politik në proceset historike. Kështu që, PDK-ja në këtë drejtim ka qenë shumë konstruktive”, është shprehur ai.
Bajrami ka bërë me dije se tipare dalluese të PDK-së gjatë kësaj kohe kanë qenë largpamësia politike dhe hapja ndaj të gjitha subjekteve politike që në agjendë kanë pasur shtetndërtimin. “Fakti që PDK-ja po qeveris me LDK-në në këtë mandat është edhe një shfaqje përgjegjësie, sepse si parti fituese PDK-ja gjithmonë ka ofruar dorën e ndarjes së pushtetit me partnerët e tjerë”, ka thënë ai, duke shtuar se PDK-ja, edhe duke qenë në opozitë, ka ndërtuar standardin e pranimit të zgjedhjeve dhe standardin e ndërtimit të një opozite proaktive dhe konstruktive. Sipas Bajramit, kjo kulturë politike e PDK-së është një kulturë shtetërore pragmatike, e cila i duhet Kosovës.


















