Bajrami për procesin në Hagë: Ish-presidentin tonë e trajtojnë si qytetar të rëndomtë, kasapi i ballkanit kishte edhe bibliotekë

E publikuar: 14/07/2025 17:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Platforma “Liria ka emër” ka mbajtur konferencë për media, ku profesorë vendor kanë listuar shkeljet, që sipas tyre, janë duke u bërë në procesin gjyqësor në Hagë.

Profesori i të drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami ka prezantuar studimin “30 shkeljet e Gjykatës Speciale”, ku tha se ka tendencë për të krijuar një pasqyrë të rreme, duke lënë anash gjenocidin e kryer në Kosovë.

“Gjykata Speciale është një tendencë e hapur, që përmes këtij procesi, krejtësisht të montuar të shtrembërojë të vërtetën për historinë moderne të Kosovës, në radhë të parë dhe ekskluzivisht për të keqinterpretuar luftën e drejtë çlirimtare, të popullit të Kosovës, luftën për vetëmbrojtje, çlirimin nga sundimi serb, nga gjenocidi shtetëror serb. Për më tepër, Gjykata Speciale përmes Serbisë është derivat i raportit të rremë dhe të falsifikuar të Dick Martyt dhe kjo tanimë botërisht është e njohur”, tha ai.

Ai tha se do të mbajnë edhe një konferencë ndërkombëtare, ku tha se do të bëhet analizë më e thellë e punës së Gjykatës Speciale.

Profesor Arsim Bajrami tha se Gjykata Speciale ka mohuar çdo bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, e mbi të gjitha ka pranuar që bashkëpunon me Prokurorinë Speciale të Serbisë.

“Vet kam vizituar disa herë këtë gjykatë, bile në kohën sa ka qenë Tribunali i Hagës në kohën e Fatmir Limajt edhe Ramush Haradinajt dhe i kam vizituar edhe tash disa herë dhe i kam parë se çfarë kushte janë qytetarët e Kosovës. Nuk kanë asnjë kusht përveç një dhome të ngushtë, as për kushte pune. Sllobodan Millosheviqi kur është gjykuar, përpos ambienteve familjare ka pasur edhe zyre pune. I kanë dhënë status të një presidenti, një krimineli të luftës, kasapit të ballkanit që vet e kanë quajtur kasap të ballkanit, i kanë dhënë kushte, i kanë dhënë bibliotekë, i kanë dhënë zyre pune. Kurse ish-presidentin tonë e trajtojnë si një qytetar të rëndomtë”, shtoi ai.

Në konferencën për media të platformës “Liria ka emër”, Bajrami u shpreh se Bajrami tha se Gjykata Speciale po shkel të drejtat e palëve, duke i mbajtur në paraburgim me aktakuza të pabaza.

Edhe profesori i të drejtës penale, Ismet Salihu tha se akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së shkaktojnë pasoja të rënda për vendin.

“Pjesëtarë te UÇK-së gjatë luftës 1998 deri më 12 qershor 1999 nuk kanë kryer krime kundër serbëve dhe pjesëtarëve të nacionaliteteve tjera. Ndërkombëtarët nuk kanë shënuar ndonjë rast ku pjesëtarë të UÇK-së kanë hyrë nëpër fshatra dhe vendbanime tjera serbe dhe kanë kryer vrasje dhe krime tjera. Ndërsa forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kanë vepruar të kundërtën. Ngase rreth 12 mijë pjesëtarë të popullsisë civile, madje edhe gra e fëmijë janë vrarë dhe afro 1 milion shqiptarë janë të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre. Për të gjitha këto krime janë dënuar një numër i vogël i kriminelëve serb, kurse krimet janë me mijëra e mijëra. Për te qenë ironia e madhe, ka katër vite, që një ndër themeluesit të UÇK-së është duke u zhvilluar procedurë kriminale për krime të luftës nga Gjykata Speciale”, u shpreh ai.

Edhe profesori Agim Zogaj ka shprehur kundërshtinë e tij për procesin në Hagë, për çka tha se bazë për ngritjen e aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së ishte raporti i Dick Marty, për të cilën u shpreh se ende në asnjë paragraf nuk flitet për trafikim organesh.

“Tani gati pas pesë viteve prej ngritjes së aktakuzës, mbi bazën e këtyre trillimeve të Gjykatës Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së në asnjë paragraf përkatës nuk flitet për trafikim organesh dhe as për shtëpinë e verdhë. Dyshimet për trafikimin e organeve nuk u aprovuan asnjëherë…Asnjë nga aktakuzat nuk bëjnë asnjë referencë më të vogël për trafikimin e organeve”, u shpreh ai.

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon Thaçin dhe të tjerët me akuza për krime të pretenduara të luftës. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi ndaj tyre nisi më tre prill (3 prill 2023) – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë. /Sh.Pajaziti