Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë Kurti lidhur me investimet kapitale, ku ka thënë se nga 859 milionë euro të parapara, deri në shtator janë shpenzuar vetëm 159 milionë euro, raporton Express.
Sipas Bajramit, kjo shifër, që thotë se është e dhënë e Ministrisë së Financave, tregon se ka mospunë.
Për pjesën e shpenzuar, Bajrami ka thënë se një pjesë janë “kontrata njëburimore me korrupsion”.
“Derisa qytetarët shpenzojnë kohë në kolonat me pluhur, shpenzojnë karburant dhe amortizojnë automjetet e tyre në rrugët për Podujevë, Mitrovicë, Pejë e Gjilan partia në pushtet prej 859 milionë eurove të parapara për investime kapitale në buxhetein e vitit 2024, deri me 1 shtator ka arritur të shpenzoj vetëm 159 milionë euro (ndërsa komunat me krejt pengesat nga Ministria e Financave kanë shpenzuar 120 milionë euro për investime kapitale deri me 1 shtator). Këto të dhëna janë të Ministrisë së Financave”, ka shkruar Bajrami.
“Në anë tjetër mbi këtë qeveri rëndon barra e 273 milionë tenderëve sekret, taksa tonat këto të shpenzuara në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, duke dëmtu buxhetin e duke favorizu kompani në dëm të konkurrencës së lirë në treg. E pamë mospunën tuaj, prandaj s’mund të fshiheni më prapa mashtrimeve e propagandës”, ka shkruar tutje Bajrami.