Deklarimi i kryeministrit nç detyrë, Albin Kurti në Davos të Zvicres se ministrave të tij “korrupsioni as s’ju bje në imagjinatë” ka zgjuar reagimin e Hykmete Bajramit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Këto “garanca absolute” për pastërtinë e ministrave të vet, Bajrami shkruan se tregojnë se Kurti “është urdhërdhënësi (i korrupsionit)”.
Postimi i Bajramit:
E kam thënë dhe po e përsëris prapë se përtej rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ne të gjithë duhet të jemi të shqetësuar se kush po e udhëheq vendin.
Dëgjojeni Albinin, si thotë të pavërteta pa iu dridhur qerpiku.
Qindra e mijëra kontrata të negociuara, ministra me aktakuza, rasti i rezervave shtetërore ku edhe vetë është i implikuar, mafia energjetike, mafia farmaceutike – dhe del burri i botës e thotë se “askush në kabinetet e ministrave të mi nuk ka as imagjinatën më të vogël për t’u përfshirë në korrupsion”.
Dmth. Albini ka arritur të depërtojë edhe në imagjinatën e ministrive dhe jo vetëm të atyre, por edhe të stafit që ministrat kanë në kabinet.
Albin,
Që kabinetin e ke të korruptuar e dinë të gjithë – edhe ata në Davos. Po deklaratat e tua në mbrojtje dhe garanca absolute edhe për ministrat me aktakuza tregojnë se ti ke qenë urdhërdhënësi. Përndryshe, kjo mbrojtje, kjo garancë nuk mund të shpjegohet ndryshe.
















