Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ndërsa ka folur rreth skandalit të ambasadorit Martin Berishaj, aferën e dyshimtë që ka implikuar zëvendësministri Almir Veliji dhe dhënien e nëntë milionë eurove të KPMM-së ndaj kompanisë ‘Feronikeli’, e ka shpërfaqur një skandal milionësh, që sipas saj prek Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Sipas saj, bëhet fjalë për 3.5 milionë euro.
Ish-ministrja e Financave tha se më 30 dhjetor 2022, brenda tri orëve janë ekzekutuar tre milionë e 500 mijë euro nga fondet e AKP-së e që qëndrojnë në Bankën Qendrore të Kosovës, përmes një vendimi të gjykatës që nuk është kompetente.
Ajo tha se në këtë janë të përfshirë edhe përmbarues privat, të cilin një prej tyre u shpreh se e ka suspenduar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Teksa Berishaj vazhdon të jetë ambasador me disa kallëzime penale, bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale ka marrë vendim që t’i falë Ferronikelit, kompani private, nëntë milionë euro. Unë sot dua të flas për një skandal tjetër, për skandalin 3.5 milionë euro në AKP. I nderuar kryeministër”, tha ajo në Kuvend.
Bajrami theksoi se për këtë ka reaguar edhe Prokuroria dhe AKP-ja.
Tregoi se Prokuroria i ka bllokuar 2.1 milionë euro, por shtoi se 1.4 milionë të tjera nga fondet e AKP-së janë disbursuar në xhirollogaritë e gjykatësve dhe prokuroroëve
Ajo çfarë dimë është se më 30 dhjetor, 2022, brenda tri orëve me urdhër të një gjykate që s’është kompetente, janë ekzekutuar 3.5 milionë euro nga xhirollogaria e mirëbesimit, fonde të AKP-së, që qëndrojnë në BQK. Nga një gjykatë jo-kompetente dhe një përmbarues. E dimë se kompetente është vetëm dhoma e posaçme në kuadër të Gjykatës Supreme. Këto 3.5 milionë janë ekzekutuar me urdhër të gjykatave të tjera dhe ministrja e Drejtësisë e ka suspenduar një përmbarues privat me kërkesë të AKP-së. AKP-ja ka reaguar dhe Prokuroria ka arrit t’i bllokojë 2.1 milionë euro. Mirëpo, fondet e AKP-së që janë disbursuar në xhirollogaritë e gjykatësve dhe prokurorëve janë 1.4 milionë euro”, u shpreh Bajrami, raporton Paparaci.
Mes tjerash, Bajrami tha se kuvendi e ka zgjedhur Bordin e Drejtorëve të AKP-së dhe bordi e ka emëruar menaxhmentin e këtij institucioni.
Në anën tjetër, Bajrami ka pyetur se sa është dëmi i mjeteve dhe kush janë ata gjykatës që e kanë dëmtuar fondin e AKP-së.
Krejt në fund, Bajrami kërkoi përgjegjësi nga kryetari i Kuvendit dhe ministrja e Drejtësisë mbi këtë që ajo e ka quajtur skandal.
“Kuvendi me propozim të qeverisë e ka zgjedhur bordin e drejtorëve të AKP-së dhe bordi e ka zgjedhur menaxhmentin. Unë kërkoj nga kryetari i Kuvendit dhe ministrja e Drejtësisë të marrin informata dhe të na informojnë lidhur me rastin. Sa është vlera e mjeteve që janë dëmtuar, kush janë gjykatësit dhe gjykatat që e ka dëmtu fondin e AKP-së, kush janë përmbaruesit dhe cilat janë hapat në këtë drejtim. Jemi institucioni i vetëm që AKP-ja duhet t’i raportojë”, përfundoi Bajrami.