Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami e ka quajtur gënjeshtër të madhe premtimet për rritje të pagave në sektorin publik. Por shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza tha partia që përfaqëson e ka dëshmuar edhe të kaluarën rritjen e pagave.
Shefja e kuletës së shtetit gjatë seancës së jashtëzakonshme për miratimin e projekt-buxhetit për vitin 2021, tha se i njëjti është i dobët për shkak të pandemisë Covid-19.
Bajrami: Nëse ky buxhet iu duket i dobët është për shkak të pandemisë
Video:
“Nëse ky buxhet iu duket i dobët është i dobët për shkak të pandemisë sepse kanë ra të hyrat e rregullta prej 300 milionë. A e dinë që veç deri në fund të shtatorit i ka ra qarkullimi për 1 milion euro, jo për faj të qeverisë. Por po faj të pandemisë. Edhe kushdo të kishte qenë në ministrinë e Financave nuk kishte mundur të bënte ndryshe…është e vërtet që buxheti është i dobët, është e vërtet që na nuk po dalim këtu me premtu rritje të pagave, sepse do të ishte një gënjeshtër e madhe me dalë me premtu rritje të pagave për policët, mjekët, zjarrfikësit e të gjithët të tjerët”, tha ajo.
Ani pse shprehu gatishmërinë për ta votuar projekt-buxhetin, Hamza kritikoi këtë të fundit si të dobët.
Hamza: Edhe në të kaluarën e kemi dëshmuar rritjen e pagave
Video:
“Asnjëherë buxhet ma dobët të papërgatitur nuk kam pasur në dorë. Pse do të votojmë, do të botojmë për interes të vendit dhe qytetarëve të vendit…Rritja e pagave, ne e kemi bërë të kaluarën kemi dëshmu, shumë herë m’u kanë thanë që s’behët, por është bërë. Edhe të ardhmen ka me u bo dhe duhet të gjendet format për rritje të buxhetit”, tha ai./E.Zeqiri/