Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami i ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që nesër në seancën plenare të votojnë në dy leximet për projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.
Shefja e kuletës së shtetit ka shkruar në rrjetin social, “Facebook” se me anë të kësaj do të rigjallërohet ekonomia e vendit dhe do të mundësohet tërheqja e 10 % të kursimeve nga Trusti.
“Ky projektligj ua mundëson qytetarëve të vendit t’i tërheqin 10% të mjeteve të tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale, duke rritur kërkesën agregate në ekonomi. Projektligji mundëson transferin e mjeteve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në buxhetin e Kosovës, për t’u vënë në funksion të rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit. Përmes plotësim-ndryshimit të ligjit për Themelimin e Fondit për Garanci Kreditore, mundësohet kreditimi i ekonomisë me kushte të favorshme për bizneset dhe fermerët – përmes mbulimit të rrezikut dhe subvencionimit të normave të interesit nga Qeveria e Kosovës.Nëpërmjet ndryshimit të Ligjit për TVSh-në do të reduktohet norma e TVSh-së nga 18% në 8% për hoteleri dhe gastronomi. Rrjedhimisht, Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19 krijon mundësinë ligjore për Qeverinë e Kosovës që të zbatojë masa të rëndësishme të cilat do ta shtyjnë përpara procesin e rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Andaj, si Ministre e Financave, u bëj thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që nesër ta votojnë këtë projekt-ligj”, tha ajo./E.Zeqiri