Bajrami ‘godet’ keq Qeverinë Kurti për rënditjen e Kosovës në indeksin e lirisë së shtypit

E publikuar: 02/05/2025 10:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, ka thënë se rënia e Kosovës në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për 24 vende, është rezultat i Qeverisë Kurti.

Sipas Bajramit, ky nuk është vetëm një indeks në një raport ndërkombëtar, por pasqyrë “e katër viteve ku pushteti i Kurtit ka sulmuar gazetarët, ka denigruar mediat kritike dhe ka tentuar të heshtë fjalën e lirë”.

“Gjatë katër viteve të fundit gazetarët janë etiketuar si “bashkëpunëtorë të Serbisë”, janë përballur me padi, kërcënime, bojkote dhe fyerje të përditshme. Ky diskurs sot është bërë normë dhe është rezultat i sjelljes katërvjeçare të LVV-së në pushtet. Ky diskurs e kjo sjellje është brejtësi që po shkatërron themelet e demokracisë”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka thënë se është me rëndësi konstituimi i institucioneve që merren menjëherë me problemet e qytetarëve dhe të gazetarëve, teksa ka renditur disa veprime si urgjente.

“Duhen veprime urgjente si:  Depolitizim i KPM-së, • Hartimin e ligjit për KPM-në në bashkpunim me Këshillin e Evropës dhe shoqërinë civile, Depolitizim i bordit dhe menaxhmentit të RTK-së, Ngritje e buxhetit për RTK-në,  Ashpërsim i dënimeve për ata që sulmojnë gazetarët, Inkurajim dhe përkrahje për gazetarinë hulumtuese, janë kontribues të mëdhenj në luftën kundër korrupsionit”, ka shkruar Bajrami.