Kryeredaktori i “Kohës Ditore”, Agron Bajrami, ka folur në “Interaktiv” të KTV-së në lidhje me ngjarjet e fundit rreth raportimeve të gazetës për skandalet në EULEX.
Ai ka thënë se EULEX-i në asnjë moment nuk i ka thënë gazetës ndonjë deklaratë që është e pakënaqur me raportimet e saj, por në takime të mbyllura me drejtues të Nismës për Kosovën, kanë provuar t’i bindin ata se kinse raportimet e gazetës nuk janë të vërteta.
“Ky është një sulm ndaj lirisë së shtypit”, ka thënë Bajrami.
Gjithçka që “Koha Ditore” ka botuar rreth rastit në fjalë qëndron, dhe gazeta mbetet prapa raportimit të vet.
Bajrami ka thënë se EULEX-i po tenton që duke gjetur “armik të jashtëm”, në këtë rast Kohën Ditore, të mbulojë dështimet e veta.
“Fakti se po kemi tash një vit diskutime për themelimin e Gjykatës Speciale, tregon në një mënyrë se EULEX-i ka dështuar”, ka thënë Bajrami.
Bajrami ka thënë se “Koha Ditore” nuk e ka fuqinë që të përjashtojë apo të sjellë misione të reja në Kosovë, por mbetet në misionin e saj të tash e 18 vjetëve, raportimin e drejtë.
“Për ne përprjekja për të arritur deri te e vërteta, të cilën qytetarët kanë të drejtë ta dinë, është misioni i vetëm”, ka thënë Bajrami.