Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se disa deputetë po kryejnë vepra penale duke mbajtur të uzurpuara pozitat qeveritare, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
“Lëndë në Gjykatë Kushtetuese mund të dërgojnë vetëm deputetët që kanë fituar mandatin, që janë certifikuar, që janë betuar dhe që votojnë në Parlamentin e Kosovës. E thjeshtë: nëse nuk je deputet, nuk mund të votosh në Parlament,” tha Bajrami.
Ajo theksoi se Ligji dhe Kushtetuta e Kosovës e ndalojnë mbajtjen e dy funksioneve dhe se Gjykata Supreme e ka sqaruar përfundimisht këtë çështje. Sipas saj, Kushtetuta në nenin 70 përcakton se mandati i deputetit fillon në ditën e certifikimit të zgjedhjeve, ndërsa personat e emëruar si anëtarë të Qeverisë nuk mund të jenë njëkohësisht deputetë.
“Ligji për Qeverinë, neni 26, e thotë qartë: nëse anëtari i Qeverisë zgjidhet deputet, ai duhet të japë dorëheqje nga Qeveria para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve,” shtoi ajo.
Bajrami kritikoi edhe veprimet e Qeverisë në dorëheqje, duke theksuar se ajo nuk ka të drejtë të miratojë as strategji, e as koncept-dokumente. “Me Ligj që e kanë miratuar vetë, e kanë ndaluar veten të miratojnë dokumente që janë më pak të rëndësishme se aktet ligjore e nënligjore,” tha ajo.
Ajo akuzoi deputetët e Vetëvendosjes për bllokim të Kuvendit dhe shkelje të rendit kushtetues. “Duke e ditur se po shkelin ligjet dhe Kushtetutën dhe rrjedhimisht po kryejnë vepra penale, kanë nisur fushatën e viktimizimit dhe propagandës se gjyqësori po përgatit arrestimin e ‘ministrave’ në llogari të partive tjera,” tha Bajrami.
Në fund, ajo u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë dhe të zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën. “Të vlejë parimi për të gjithë: askush mbi ligjin!” përfundoi Bajrami.


















