Bajram Isufi zyrtarizon kandidaturën për Asamblenë Komunale të Gjilanit nga radhët e Vetëvendosjes

E publikuar: 15/08/2025 23:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bajram Isufi, veprimtar i njohur nga Zhegra dhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për këshilltar komunal në Asamblenë e Gjilanit në kuadër të zgjedhjeve lokale të ardhshme.

Përmes një postimi në profilin e tij në facebook, Isufi tha se vendimi për të hyrë në garë vjen pas kërkesave të shumta nga familjarë, miq dhe bashkëveprimtarë të tij, me të cilët ka ndarë sfidat jetësore dhe profesionale ndër vite. Ai theksoi se kandidatura e tij është një vazhdimësi e angazhimit të tij për të mirën e përgjithshme, duke u zotuar për përkushtim të plotë ndaj interesit publik.

“Besimi juaj në mua është nder e privilegj, por edhe përgjegjësi e madhe,” tha Isufi, duke i bërë thirrje qytetarëve të Gjilanit që ta mbështesin në këtë rrugëtim të ri politik, në listën e Vetëvendosjes me kryetar Alban Hyseni.

Postimi i plotë:

Familjarë, miq, bashkëvendës të mi

Zhegranë e bashkëqytetarë të mi Gjilanas.

Pas një analize dhe vlerësimi të kërkesës së pandërprerë të familjarëve, miqve e bashkëveprimtarëve me të cilët kam rrugëtuar bashkë me sfidat e jetës si dhe veprimtarisë sime jetësore, kombëtare, profesionale, intelektuale, institucionale e publike, kam vendosur t’i hyj garës për këshilltar komunal në listën e kandidatëve të Lëvizjes Vetvendosje në Zgjedhjet lokale për Asamblenë Komunale të Gjilanit me kryetar Alban Hyseni.

Ata që më njohin e dinë se gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë sime personale dhe familjare, angazhimi im ka qenë me synim në një objektiv:

– E mira e përgjithshme për vendlindjen, zonën, komunën, bashkëvendësit, bashkëqytetarët si dhe shtetin e kombin në përgjithësi.

Duke besuar te ju, me të cilët kam frymuar e vepruar përgjatë gjithë jetës sime, si dhe duke besuar fuqishëm në parimet dhe vlerat tuaja mbi të cilat udhëhiqeni gjithmonë, besoj se do të arrij synimin e përbashkët, që unë të vazhdoj misionin dhe pasionin tim për shërbim, deri në energjinë e fundit, për të mirën e përgjithshme, pa dallim.
Besimi juaj në mua është nder e privilegj për të vazhduar angazhimin tim.

Por më shumë se aq, besimi juaj në mua është obligim shumë i madh dhe përgjegjësi shumë e lartë sepse para politikës, insistoj të jem deri në frymën e fundit me nder dhe ballëhapur para jush për fjalën e dhënë.
Vazhdojm tutje së bashku.

Zoti ju bekoftë të gjithëve me begatitë hyjnore të tij!