Kosova sot feston 18-vjetorin e Pavarësisë. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mbajti një fjalim në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Insjaderi.
Ndër të tjera, ai theksoi rëndësinë dhe kontributin e krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë. Sipas tij, akuzat ndaj tyre janë të montuara dhe përbëjnë padrejtësi.
“Historia e Kosovës nuk mund të shkruhet dhe as të kujtohet pa Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Ata që dje udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot po përballen padrejtësisht me akuza të montuara në Gjykatën Speciale, duke na bërë të gjithëve të ndihemi të fyer. Ata dhe të gjithë të tjerët që morën armët për të kërkuar liri, janë, siç kanë qenë gjithmonë, kurdo e kudo, simbole të lirisë. Janë memorie kombëtare”, tha ai.
Më tej, Begaj u shpreh se Shqipëria qëndron në krah të UÇK-së dhe komandantëve të saj.
“Republika e Shqipërisë është me UÇK-në dhe me komandantët e saj. Shqipëria ka qëndruar me Kosovën, krah Kosovës, dhe do të qëndrojë jetë e mot”, deklaroi ai.


















