Nesër pritet të mbahet përpjekja e gjashtëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila është caktuar të fillojë në orën 10:30. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka bërë thirrje për reflektim nga opozita dhe theksoi rëndësinë e përmbylljes së këtij procesi sa më shpejt.
I ftuar në emisionin Info Plus në RTK, Bajqinovci deklaroi se nuk ka arsye që opozita të ketë frikë nga votimi i fshehtë, një formë që, sipas tij, është përdorur edhe më parë për çështje të rëndësishme shtetërore.
“Nuk është hera e parë që votohet në mënyrë të fshehtë. Kemi votuar nivelet më të larta shtetërore, nga Gjykata Kushtetuese, bordet, edhe agjencitë ekzekutive janë votuar në mënyrë të fshehtë nga deputetët e Republikës së Kosovës. Andaj, mendoj nuk ka nevojë të ketë frikë opozita, përveç nëse nuk u beson deputetëve të vet,” tha ai.
Duke iu përgjigjur qëndrimit të opozitës se procedura për votim të hapur ka hyrë në proces dhe nuk mund të ndryshohet, Bajqinovci tha: “Asgjë nuk ka filluar përveç mandateve dhe imunitetit, andaj si procedurë mund të vazhdohet për konstituimin e Kuvendit.”
Ai gjithashtu përmendi qëndrimin e LDK-së në një moment të mëhershëm të procesit:
“LDK-ja e pa që gaboi dhe në fund e ktheu atë raportin e famshëm. Nuk dëshiroi ta ndryshojë raportin që ne të betohemi.”
Deputeti i VV-së bëri të qartë se kandidatura për kryetare të Kuvendit nuk është pjesë e negociatave. Ai tha se Albulena Haxhiu, është kandidatura e Vetëvendosjes dhe e vetmja që do të propozohet duke theksuar se ajo është gruaja më e votuar në vend dhe ka përvojën më të madhe legjislative.

















