Bahtiri: Nuk është gjetur akoma 17 vjeçari i zhdukur dje

E publikuar: 11/04/2015 19:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Raportimet e disa mediave se 17 vjeçari Sead Alushi i zhdukur dje në veri është gjetur, i ka hedhur poshtë kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili ka bërë apel që mos të publikohen informata të paverifikuara sepse është një rast i ndjeshëm.

“Unë jam në veri në pjesën ku është zhdukur i riu, por deri më tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e tij. Me mua deri në këto momente ishte edhe kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, për të parë nga afër kërkimet që po bëhen nga policia, KFOR-i, zhytësit dhe zjarrfikësit. Ju bëjë apel mediave që mos të publikojnë informata të pavërteta, sepse deri më tash nuk është gjetur trupit i tij, i cili dyshohet se është rrëmbyer nga ujërat e lumit”, ka thënë Bahtiri për Veriu.info.

Kryetari Bahtiri po ashtu ka treguar se së bashku me kryetarin e Mitrovicës së veriut, Goran Rakiqin, kanë marrë vendim që sot të takohen komandantët e policisë së Kosovës të rajonit të Mitrovicës së jugut dhe Mitrovicës së veriut, për t’i marrë të gjitha veprimet e nevojshme që të gjendet i zhdukuri.

“Me Rakiqin kemi marrë vendim që dy komandantët e policisë të takohen dhe të bëjnë çdo gjë për ta gjetur të zhdukurin”, tha Bahtiri për Veriu.info.