Badivuku: Paratë i Mora Hua (Video)

E publikuar: 08/03/2016 19:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

E akuzuar për marrje të mitos, prokurorja Vahide Badivuku tha se 5.000 eurot që ia gjetën Policia e Krimeve Ekonomike në kuletë dhe në frigoriferin e dorës i kishte marrë hua nga i akuzuari tjetër në këtë rast, Idriz Kelmendi.

Në rrëfimin e saj para gjykatës, prokurorja Vahide Badivuku pretendon se paratë të cilat iu zunë në frigoriferin e saj të dorës i kishte marrë hua për udhëtimin e saj në Austri. Badivuku ka hedhur poshtë çdo mundësi që paratë të jenë marrë mito për të liruar fajdexhinjtë e arrestuar me urdhër të saj, si dhe makinat e tyre të konfiskuara.

Në muajin gusht të vitit 2015, Policia e Kosovës kishte arrestuar prokuroren nga Mitrovica Vahide Badivuku.

Tek ajo prokuroria pretendon se u gjetën 5 mijë euro të cilat më parë ishin dhënë mito për prokuroren me qëllim që ajo të lironte makinat e fajdexhinjve të dyshuar, të cilat ishin konfiskuar nga organet e hetuesisë.

Ajo ka mohuar çdo lidhje me të akuzuarin tjetër Idriz Kelmendi, i cili po ashtu akuzohet nga prokuroria se ndërmjetësoi marrjen e mitos. “Me datën 22 gusht 2015 jam nisur me shku tek vajza në Austri dhe me vete kam pasur 5 mijë euro”, ka rrëfyer Badivuku.

Paratë ajo pretendon se i kishte për udhëtimin ndërsa para gjykatës ka përshkruar momentin kur Policia e kishte bastisur afër pikës kufitare në Merdare.

“Janë prezantuar si Policia e Krimeve Ekonomike dhe kanë urdhëruar që të zbresin të gjithë udhëtarët nga autobusi dhe t’i marrim valixhet dhe gjësendet e tjera”, ka treguar ajo, duke theksuar se asaj i janë gjetur në çantë 1.000 euro në zarf. “Ata më pyetën a kam para të tjera dhe unë u tregova se i kam edhe 4 mijë euro në frigorifer”, ka thënë ajo.

Këto para Badivuku pretendon se i kishte huazuar nga Idriz Kelmendi 4-5 ditë ose një javë përpara se të arrestohej.

/Kallxo.com/