Ajo është një vajzë indiane, 26 vjeçe dhe për fat të keq nuk ka asnjë perspektivë për të ardhmen. Ishte vetëm 3 vjeçe, kur i ati i shpërfytyroi fytyrën me acid, gjatë një momenti inatosjeje. Asaj i pëlqente të bëhej këngëtare, por tani e di mirë se për shkak të atyre shenjave, nuk do të mundë ta realizojë kurrë ëndrrën e saj.
I ati i vajzës ishte i pirë dhe teksa po zihej me gruan për një çështje pronësie, ndërhyn vajza për t’i qetësuar. Papritur ai është zemëruar së tepërmi dhe i ka hedhur acid në fytyrë duke i thënë se nuk donte që askush të dashurohej me të. Që nga ai moment jeta e Neetu-së ka ndryshuar.
Fytyra e saj është plotësisht e shpërfytyruar, është pothuajse e verbër dhe ende sot nuk e ka kaluar traumën që i shkaktoi i ati. E frikësuar, ajo nuk del nga shtëpia pa mbrojtjen e së ëmës. “Këto shenja kanë shkatërruar të gjitha ëndrrat e mia. Doja të studioja dhe të gjeja një punë, por për fat të keq kam një shenjë të pariparueshme në fytyrë” thotë 26 vjeçarja.
Por pavarësisht që mjekët i kanë thënë që fytyra e saj nuk mund të kurohet dhe që do të mbesë e verbër për gjithë jetën, ajo ndihet me fat, kur kujton se dy javë pas atakut me acid, e motra e saj Krishna humbi jetën. 26 vjeçarja jeton ende me të atin i cili nuk është penduar aspak për atë që ka bërë.
Në Indi ngjarje të tilla janë pothuajse të zakonshme. Edhe një tjetër vajzë me emrin Geeta është shpërfytyruar nga i ati. Faji i saj ishte refuzimi i propozimit të një burri për martesë. I njëjti fat edhe për Dolly-n, një vajzë 14 vjeçare, që nuk do të ketë të ardhme për shkak të shenjave. Sipas studimeve është e provuar që në Indi, çdo 5 minuta ndodh një akt dhune, duke patur parasysh që është një vend ku gratë janë totalisht të varura nga burrat e familjes.