Babai i çeliktë i Elitës

E publikuar: 26/12/2017 08:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njeriu është më i fortë se guri. Ky konstatim më së miri do t’i shkonte Milazim Ibishit nga Gremja e Ferizajt. Ai e përcolli, sot, për në varr vajzën e tij, e cila ishte aksidentuar të shtunën mbrëma, në hyrje të fshatit dhe kishte vdekur pas 24 orësh.

Babai i Elitës, studentes së gazetarisë, na përcolli i fundit në ceremoninë mortore për vajzën e tij. Na shpjegoi rastin e aksidentit të Elitës, e cila në momentin kritik ishte edhe me motrën. Përpos me motrën, në momentin kur kishte ndodhur aksidenti ndodhej edhe me vajzën e hallës dhe me shoferen që ishte shoqja e vajzës së hallës. Babai i Elitës na tregoi se mbesa e tij kishte vdekur në vend, ndërsa vajza të dielën mbrëma.

“Vajza ndërroi jetë në orën 21:43”, na tha babai i Elitës.

Derisa burri nga Ferizaj na rrëfente ngjarjen për vajzën e tij, profesorëve të Departamentit të Gazetarisë, përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave, u dilnin lot nga sytë.

“E kisha edhe shoqe. S’fshihte asgjë nga unë. Kishim raporte përtej prindërore”, rrëfente Milazimi.

Na i tha edhe dy fjalë pse kishte zgjedhur të bëhej gazetare. “E donte me zemër të bëhej gazetare…”.

Nuk qante. Kishte fytyrën të verdhë. Në një pjesë të pantallonave i ishte ngjitur dheu i lagur i varrit të së bijës.

Fortësia e këtij burri nuk përfundon me kaq.

U interesua që përpos profesorëve të Elitës t’i përshëndeste edhe shokët dhe shoqet e vajzës. Iu shprehu keqardhje pse u njohën në një ditë të tillë tragjike. Tha para atyre që deri dje e rrethonin Elitën se kaq ishte e shkruar të jetonte e bija e tij.

Edhe tash kur po i shkruaj këta rreshta po më del para sysh babai i Elitës. Po më dalin edhe shumë prindër, që kur u ndodhin ngjarje të tilla dorëzohen. Që shohin vetëm zi. Që përfundon gjithçka.

Milazimi tha se vajza që ka shpëtuar, nuk di asgjë për Elitën dhe se është duke e marrë veten.

Në kohën e mediave të reja, të portaleve pra, edhe vdekja është më e rëndë. Sepse gjasat që fotografia e fëmijës tuaj të vdekur të dalë në media është shumë e madhe. Ndoshta, edhe nga mosdija, por publikimi i fotografive të së ndjerës ia rëndonin jetën familjes Ibishi.

Një familjar i Elitës na luti krejt njerëzisht që t’ua përcillnim kolegëve gazetarë të portaleve kërkesën e familjes që të mos i publikohen fotografitë, sepse po iu shtohej edhe më shumë dhimbja. Sepse Elita nuk ishte person publik dhe rrjedhimisht as nuk kishte interes t’i dilte fytyra nëpër portalet tona.

Mbase është momenti i fundit, kur edhe portalet do t’i jepnin fund publikimit të fotografive të personave jopublikë, për të bërë lajme dhe për të përfituar klikime.

Gazetarët, që e përdorën këtë tragjedi për të bërë lajme për klikime me fotografitë e të ndjerës, sikur ta takonin sot Milazim Ibishin, do t’i kërkonin falje. Duke e kuptuar se në këtë rast klikueshmëria është më pak e rëndësishme se njerëzorja.