Halil Berisha e ka zgjidhur problemin e tij. Pas qëndrimit disa mujor në Gjermani, ai ka kaluar në Holandë. Edhe atje është paraqitur për azil, dhe ka gatishmëri të kthehet sa më parë. Kjo pasi që Organizata Ndërkombëtare për Migrim, IOM u jep kosovarëve që kthehen 1750 euro, raporton KTV.
Kjo praktikë ka nxitur debat të shumtë në Holandë. Por, shefi i IOM-it për këtë shtet, thotë se këta kosovarë që kanë aplikuar nuk janë të përfshirë në veprimtari kriminale, prandaj është e nevojshme t’u ndihmohet për rindërtimin e jetës në Kosovë.
Azilkërkuesi Berisha thotë se Kosova s’ka ekonomi as siguri. Televizioni holandez 1V tregon se si e kanë bërë për disa muaj rrugën kosovarët kur kanë ikur nga Kosova nëpërmjet Serbisë, Hungarisë, Austrisë, Gjermanisë dhe tani po përfundojnë në Holandë.
Ata që kanë kaluar kah Gjermania, thonë se ky shtet nuk është përkujdesur si duhet për ta. E teksa kërkesat për azil në Holandë në janar ishin 7, kjo në qershor është rritur shumëfish dhe ka mbërritur deri në 162.
Por, një zyrtare e qeverisë holandeze ka thënë se ata kanë parë se ky sistem po abuzohet nga kosovarët, dhe se të njëjtën gjë e kishin bërë edhe maqedonët e gjeorgjianët në vitin 2010. Dy deputetë holandezë kanë thënë se do t’ia parashtrojnë kërkesën qeverisë për monitorim më të ashpër të këtij sistemi.