Azem Syla mbetet në paraburgim, edhe Apeli konsideron se mund të ndikojë te dëshmitarët e “Tokës”

E publikuar: 07/10/2016 10:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Apelit e ka mbështetur vendimin e Themelores për ta lënë në paraburgim Azem Sylën, i akuzuari kryesor në rastin e njohur “Tokat”. Këtë e ka konfirmuar avokati i Sylës, Tomë Gashi.

Ky është njoftimi i Gashit në “Facebook”:

Z. Azem Syla edhe për një kohë mbetet në paraburgim sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit

Me aktvendimin e gjyqtares së EULEX-it – gjyqtares së procedurës paraprake, mbetet në fuqi vendimi mbi caktimin e paraburgimit ndaj z. Azem Syla deri më 22 nëntor 2016.
Gjyqtarja e EULEX-it ka konsideruar se duhet të mbetet në fuqi vendimi mbi caktimin e masës së paraburgimit ndaj z. Azem Sylës deri më 22 nëntor 2016, për shkak të rrezikut të përgjithshëm të tentimit të ndikimit në dëshmitarë të mbrojtur.
Gjyqtarja ka konsideruar se kontaktimi i dëshmitarit të mbrojtur 2 në emër të z. Azem Syla paraqet pengim të përgjithshëm të procedurave gjyqësore dhe jo thjesht vetëm tentim të frikësimit të dëshmitarit.
Është paksa e çuditshme se si mund të frikësohet dëshmitari që ka dhënë deklaratë dhe i cili ka deklaruar se asnjëherë nuk ka qenë i frikësuar, i kërcënuar dhe se atij nuk i është kërkuar që të ndryshojë dëshminë e tij kundër z. Azem Sylës dhe të tjerëve në rastin që njihet si rasti i quajtur “Tokat”.
Kontaktimi i dëshmitarit nga ana e të njohurit të tij është konsideruar si ndërhyrje në procedurë gjyqësore.
Paksa vendim jo i zakontë duke pasur dëshminë e dëshmitarit 2.
Rasti përsëri do të shkojë në Gjykatën e Apelit të Kosovës në Prishtinë, sipas ankesës të cilën kemi të drejtë ta parashtrojmë.
Avokat Tomë GASHI