Avokatja e Thaçit kërkon nga gjyqtari që ta detyrojë dëshmitarin t’i përgjigjet pyetjeve ose dëshmia të mos merret parasysh

E publikuar: 03/03/2026 16:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Avokatja e Hashim Thaçit, Sophie Menegon ka kërkuar nga trupi gjykues që ta detyrojë dëshmitarin holandez, Koen Herlaar që të përgjigjet në pyetjet e parashtruara.

Mbrojtja e Thaçit ka reaguar, lidhur me siç tha ajo refuzimin e dëshmitarit për t’u përgjigjur në pyetjet për shkak të konfidencialitetit. Sipas saj, ky dëshmitar i ftuar nga ZPS nuk ka dhënë asnjë bazë ligjore për këtë lloj refuzimi.

“Doja të theksoja dhe të sqarojë kundërshtimin që kam unë lidhur me refuzimin e dëshmitarit për të ju përgjigjur pyetjeve për shkak të konfidencialitetit. Sipas nesh, nuk është dhënë asnjë bazë ligjore për këtë lloj refuzimi sa i takon interpretimit të rregullës 107 që citova më herët, unë e di që në çështjen 6 ZPS dhe ekipi i Thaçit kanë kontaktuar punonjës të Qeverisë Amerikane dhe të Kombeve të Bashkuara dhe e kanë bërë kërkesën sipas rregullës 107 që dëshmitarët të mos detyroheshin të jepnin përgjigje kur informacioni ishte konfidencial dhe këto masa i ka miratuar trupi gjykues”, tha ajo.

Mbrojtja e Hashim Thaçit ka kërkuar nga gjyqtari që të detyrohet dëshmitari t’i përgjigjet pyetjeve ose dëshmia e tij të mos merret parasysh.

“Në këtë rast i bëjë kërkesë kryetarit të trupit gjykues në mënyrë që të vendos se çfarë do të ndodhë dhe trupi gjykues mund t’i miratojë masat përkatëse sipas rregullës 107. Unë dua të them që ose Prokuroria të kishte bërë kërkesë sipas rregullës 107 ose të kishte kërkesë IKH kërkesë në bazë të rregullës 211 që të autorizohet dëshmitari të mos u përgjigjet pyetjeve për shkak se duhet të mbrojë informacionin konfidencial në lidhje me mikrodotet. Gjithashtu rregulla 141 parashikon që një dëshmitar që paraqitet para trupit gjykues duhet medoemos të jap dëshmi, me përjashtim të rasteve kur përcaktohet ndryshe në rregull dhe në ligj. Ne gjykojmë që mbi këtë argument që sapo bëra unë të detyroni dëshmitarin tu përgjigjet pyetjeve. Ose dëshmitari tu përgjigjet të gjitha pyetjeve kur i bën kundërpyetjet ose dëshmia e tij të mos merret parasysh”, shtoi ajo.

Prokurori Joshua Hafetz tha se informacioni në raport se si ai e ka bërë analizën i mjafton gjyqit në këtë çështje.

“Unë mendoj që propozimi është ky: mbrojtja të bëjë të gjitha pyetjet që gjykojnë se janë të rëndësishme për ta, ata gjykojnë se janë të rëndësishme për ta. Le të lejohen ekipet e mbrojtjes t’i bëjnë të gjitha pyetjet që dëshirojnë dhe ai mund tu përgjigjet atyre që mund tu përgjigjet. Ai ka qenë i qartë për ato që nuk mund tu përgjigjet. Ky do të kishte qenë qëndrimi ynë për cdo rast. Ua tham edhe një herë se ne nuk e dimë se për cilat pyetje nuk mund të jap përgjigje ai dhe ne besojmë që informacioni në raportin e tij lidhet me mënyrën se si ka bërë analizën dhe aq i mjafton këtij gjyqi apo kësaj gjykate për cështjen tonë. Pastaj vendosni ju peshën që do t’i jepni dëshmisë së tij. Ai thjesht po respekton atë që ka thënë në raportin e tij”, tha prokurori.

Gjyqtari i vetëm në rastin e Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë, Christopher Gosnell, tha se kjo është një situatë e pazakontë.

“Jemi në një situatë të pazakontë tani, sepse dëshmia e tij mbështetet në një vendim ku thuhet se pranimi kushtëzohet nga vendimet e ardhshme. Pra, duke qenë se kjo cështje nuk është ngritur më përpara atëherë ne do të veprojmë sic ju thash unë më herët. Sigurisht pres parashtrime të mëtutjeshme nga mbrojtja në lidhje me këtë dhe do të vendosim për mjetet juridike përkatëse”, përfundoi ai.

Dëshmia e holandezit, Koen Herlaar, i cili është ekspert i kriminalistikës po vijon në seancë private, ashtu siç ka ngjarë disa herë nga mëngjesi prej kur ka nisur dëgjimi i tij.

Ky është dëshmitari i dytë në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

Pesëshja, e cila aakuzohet për pengim të drejtësisë, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.

Prokuroria pretendon se posedon dëshmi, përfshirë audio-incizime nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.

Edhe avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar këto pretendime, ku kanë thënë se provat e Prokurorisë nuk dëshmojnë kryerjen e veprave penale për çka akuzohen.

Hashim Thaçi dhe të tjerët akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë, të njëjtit i kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjyqin për krime lufte.