Avokati pret lirimin e Haxhi Shalës

E publikuar: 14/12/2015 13:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas kthimit në rivendosje nga Gjykata e Apelit të vendimit për arrest shtëpiak ndaj Haxhi Shalës, është mbajtur sot seanca në gjykatë.

Lajmin për mbajtjen e seancës ku deputetit të Nismës pritet t’i caktohet masë sigurie, ose të mos i shqiptohet një e tillë, e bëri të ditur për KALLXO.com avokati i tij Naser Sopjani.

“Sot kemi qenë në seancë te gjyqtari i procedurës paraprake në bazë te aktvendimit të Gjykatës së Apelit e cila ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe ka kthyer rastin e arrestit shtëpiak në rivendosje për deputetin Haxhi Shala. Seanca është kryer dhe jemi në pritje te vendimit,” tha avokati Sopjani.

Sopjani tregoi se kërkoi ndërprerjen e arrestit shtëpiak për të mbrojturin e tij.

“Ne si mbrojtje kërkuam të merret vendim për ndërprerje te arrestit shtëpiak. Nuk qëndrojnë asnjëra nga kushtet ligjore për ndonjë masë sigurie, aq më tepër arrestin shtëpiak. Ai nuk ik, provat nuk prishen dhe masa e arrestit shtëpiak është respektuar,” tha Sopjani.

Haxhi Shala u arrestua më 30 nëntor, pasi aktivizoi gazin lotsjellës në seancën e Kuvendit të asaj dite. Atij masa e arrestit shtëpiak iu caktua më 2 dhjetor.