Avokati Mishetiq: Provat ishin të dobëta, shpresojmë për drejtësi për Hashim Thaçin

E publikuar: 02/04/2025 16:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Avokati i Hashim Thaçit në Gjyjkatën Speciale në Hagë, Luka Mishetiq, , shprehu shqetësimin e tij për kohën e gjatë të paraburgimit të klientit të tij dhe për vonesat në procesin gjyqësor.

Ai tha se provat kundër Thaçit janë të dobëta dhe beson se çështja mund të kishte përfunduar më shpejt.

“Së pari më lejoni të them se klientët tanë janë mbajtur në paraburgim për një kohë jashtëzakonisht të gjatë, 4 vjet e gjysmë në paraburgim, katër vjet e gjysmë, të cilat nuk mund t’i kthejnë kurrë mbrapa. Jam i zhgënjyer që u deshën dy vjet e gjysmë që çështja e Prokurorisë të përfundonte, besoj se kjo çështje mund të përfundonte shumë më shpejt, por jemi ku jemi tani. Në përgjithësi mendoj se ky rast dhe provat kundër z. Thaçi kanë qenë shumë të dobëta. Nuk mund të flas për provat tani, por mendoj se në fund të gjykimit do të shihni se pretendimet që nisën me raportin e Martyt nuk kanë thuajse asnjë lidhje me provat e paraqitura kundër z. Thaçit në këtë gjykim për mbi dy vjet. Në këtë kuptim, jam shumë optimist për rezultatin që del nga ky rast. Për z. Thaçi, mendoj se provat kanë qenë shumë të dobëta dhe patjetër se do t’i argumentojmë këto para Trupit Gjykues në kohën e duhur. Por sikurse thashë, mendoj se këtyre katër të akuzuarve u është marrë shumë kohë nga jeta dhe shpresojmë se do të përfundojë sa më parë”, tha Mishetiq.

Ai tha se gjatë procesit kanë pasur dëshmitarë efektivë që do të mbështesin mbrojtjen dhe se Prokuroria nuk ka arritur të sjellë prova të mjaftueshme për disa pjesë të aktakuzës.

“Siç dihet nuk mund të jap komente rreth asaj që është thënë në seanca private, nuk mund ta komentoj por mund të ju them se nëse flas në përgjithësi, për mendimin tonë provat kundër Z. Thaçi janë jashtëzakonisht të dobëta deri në atë pikë që nganjëherë gjatë procesit e kam pyetur veten “pse është akuzuar Z. Thaçi?”. Do t’i dorëzojmë parashtresat tona Trupit Gjykues në kohën e duhur, por nuk ka shumë gjëra që mund të them për prova specifike të rastit, por jemi të bindur për rezultatin për z. Thaçi dhe e vetmja gjë që ka mbetur tani është të kalojmë nëpër fazat tjera të procesit sa më shpejt dhe ta kemi aktgjykimin sa më parë të jetë e mundur. Ne kemi dëshmitarë, të cilët mendoj se janë tejet efektivë e të cilët nuk mund t’i diskutoj tani dhe kjo varet edhe nëse do të paraqesim çështjen tonë dhe kur”.

Mishetiq ka shpresë se gjykata do të sjellë një vendim të favorshëm për Thaçin, duke theksuar se çdo diskutim politik është i papërshtatshëm në këtë fazë.

“E, po ka dëshmitarë të tillë, disa prej tyre kanë dëshmuar në seanca publike, për të cilët mendoj se gjatë kundërpyetjeve kanë qenë dëshmitarë shumë efektivë për Mbrojtjen, për z. Thaçi. Sërish nuk do ta komentoj specifikisht ndonjë dëshmitar tani, edhe po të ishte në seancë publike, sepse do t’i dëgjoni të gjitha këto argumente në kohën e duhur, por mendoj se çështja e cila është paraqitur nga ana e Z. Thaçi në fjalën hyrëse rreth rolit të tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës është vërtetuar përgjatë çështjes së Prokurorisë dhe tani neve na ka mbetur vetëm t’i argumentojmë këto para Trupit Gjykues. Kemi besimin se Trupi Gjykues e ka të njëjtën përshtypje për këtë rast sikur që e kemi ne dhe do ta presim aktgjykimin. Nëse ka drejtësi këtu, besoj se do të ketë rezultat shumë të mirë për Z. Thaçi në fund të krejt kësaj”.

“Ne do t’i shtrojmë argumentet tona mbi atë se Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë apo të sjellë prova të mjaftueshme për disa pjesë të caktuara të dosjes së tyre, tani nuk mund të jap detaje, sepse nuk është as vendi e as koha e duhur, do ta bëjmë këtë brenda gjykatores, por po, ne besojmë që Prokuroria ka dështuar të paraqes fakte të mjaftueshme për pjesë të caktuara të aktakuzës. Nuk kemi ardhur në përfundim për një numër të caktuar por nuk do të jenë, si të themi – shuuumë dëshmitarë, me siguri që aspak afër asaj çfarë ka bërë Prokuroria në kuptimin e numrit të dëshmitarëve. Ne kemi për synim që të sjellim, gjithnjë nëse paraqesim çështjen tonë, që ajo të jetë relativisht e shkurtër sepse klientët tanë janë në paraburgim aktualisht dhe çdo ditë që kalon nuk mund të kthehet më mbrapa, andaj po përpiqemi ta përmbledhim sa më shpejt që është e mundur. Secili ekip i Mbrojtjes do të thërras dëshmitarët që mendon se janë të përshtatshëm për mbrojtjen e tyre, patjetër që ka dëshmitarë që janë në dobi të të katër ekipeve mbrojtëse por shkurtimisht, secili ekip i mbrojtjes po punon për sjellë dëshmitarë të caktuar për klientët e tyre”, shtoi ai.

Mishetiq theksoi se nuk ka ende një afat të caktuar për përfundimin e çështjes dhe se një konferencë statusore do të mbahet në fund të prillit për të diskutuar detajet e tjera.

“Nuk kemi arritur akoma në atë pikë, me siguri që do të kemi një konferencë statusore për ecurinë e çështjes në fund të muajit Prill ku do të diskutohen afatet dhe periudhat kohore e çështje tjera specifike, por në këtë pikë nuk ka një afat të caktuar të vendosur nga ana e Gjykatës. Çfarëdo që kemi thënë në formë të shkruar në Gjykatë është gjithë çfarë mund të them për momentin për këtë temë. Ju mund t’i lexoni parashtresat tona aty, nuk kam komente shtesë”, deklaroi avokati.

Ai beson se provat kundër Hashim Thaçit janë sfiduar dhe se do të ketë një rezultat pozitiv për të, duke shtuar se beson në sistemin e drejtësisë dhe në faktin se gjyqtarët do të sigurojnë drejtësi.

“Mesazhi është që ta lënë procesin të rrjedhë këtu, ne i kemi vërtetuar faktet që lidhen me Z. Thaçi në këtë rast dhe le ta lëmë procesin të rrjedhë. Nuk mund të them diçka më shumë në lidhje me këtë, duhet të kem besim në sistemin e drejtësisë dhe në faktin se gjyqtarët do të sigurohen se këtu ka drejtësi dhe nëse ata i shohin gjërat me sytë tanë atëherë në fund do të ketë rezultat shumë pozitiv për Z. Thaçi. Nuk mund të flas për motivet e tyre, ata duhet të përgjigjen se pse bëjnë gjëra të caktuara, por qëndrimi ynë është se,,, dhe kjo shihet nëse e lexoni aktakuzën, se prokuroria nuk pretendon se është ndërhyrë tek ndonjëri prej dëshmitarëve dhe mendoj se kjo është e rëndësishme të theksohet. Ky rasti, pra rasti kryesor do të vendoset bazuar në provat që Prokuroria ka menduar se i kanë në fillim, gjithë ato prova tani janë para Trupit Gjykues, janë sfiduar me kundërpyetje, epo shumica prej tyre sepse disa nuk janë sfiduar, por për shumicën ka pasur kundërpyetje. Dhe ne besojmë se kredibiliteti i atyre provave është testuar mjaftueshëm në atë mënyrë që siç thashë besoj se do të kemi rezultat pozitiv për Z Thaçi. Në këtë pikë do të shmangja çdo diskutim politik. Kemi bërë më të mirën që mundemi me mjetet që i kemi dhe mund t’i kthehemi kësaj më vonë e ta diskutojmë, por tani besoj se edhe me mjetet që i kemi pasur kemi qenë në gjendje të dëshmojmë se akuzat që i ngarkohen Z. Thaçi nuk mbështeten në fakte të mjaftueshme”, përfundoi avokati i Hashim Thaçit, Mishetiq.