Avokati i Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale, Gregory Keohe, ka pasur kritika të mëdha për Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ai ka ironizuar madje lidhur me kohën e gjykimit, pasi ZPS-ja ka kërkuar rreth 600 orë kohë për gjykim, shkruan Demokracia.com.
Keohe ka thënë se “duam ta mbarojmë gjykimin sa jemi gjallë”.
“Na i kanë lënë ne në dorë mijëra faqe të materialeve. Ne nuk e dijmë çka mendon Prokuroria që është me rëndësi. Nuk na intereson asnjëri, dua ta mbarojmë sa të jemi gjallë. Mos të zgjatet pa fund”, ka thënë Keohe.
Ai e ka përmendur edhe rastin e gjykimit të ish-komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, i cili nuk ishte shpallur për çështjen për të cilën vite më parë u gjykua.
“Ju e kuptoni sa vështirë është të marrësh mijëra faqe, të na hedhësh, dhe të gjejmë se çfarë është ajo që Prokuroria do të paraqesë si çështje nga ana e saj. Këtu u fol për pjekurinë e një institucioni. Në rastin Haradinaj u mor vendim për përgjegjësinë komanduese, kurse komandanti nuk u deklarua fajtor. Këtë duhet ta shqyrtojmë gjatë pyetjes së 12 dëshmitarëve. Ju e njihni vendimin e çështjes Haradinaj. Tani duhet ta shqyrtojmë të njëjtin skenar lidhur me përgjegjësinë komanduese, ndihmën dhe inkurajimin apo teorinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale për t’u përpjekur që fajin t’ua vëmë këtyre katër të akuzuarve, pas është marrë vendim nga gjykata e shkallës së parë dhe apelit që komandanti nuk është shpallur fajtor. Prokuroria po e bënë të njëjtën gjë. Komandanti nuk është gjetur fajtor dhe nuk bëhet fjalë për ndërmarrjen e përbashkët kriminale. Pasi ky person nuk është gjetur fajtor tani ne po dalim mbi të për tu përpjekur që t’i fajësojmë katër zotërinjtë. Këtu po ndodhin shumë gjëra dhe do ta zgjasin këtë çështje.”, tha Keohe.