
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër i shoqëruar nga deputetja më e re.
Në këtë rast deputeti i zgjedhur më i vjetër në moshë është Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe deputetja më e re është Sala Jashari nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Dehari ka qenë deputeti më i vjetër edhe në legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës. Ndryshe nga tani, në marsin 2021, bashkë me Deharin ka udhëhequr deputetja Fjolla Ujkani.
Në bazë të rezultateve të Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.30% të votave – duke i siguruar 48 deputetët në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave apo 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27% apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06% apo 8 deputetë.
Lista Serbe do t’i ketë 9 deputetë, 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit. 10 deputetët e tjerë do të jenë nga komunitetet e tjera joshumicë.