Është mbajtur sot Kuvendi VII Zgjedhor i Degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Prishtinë. Kuvendi ka zgjedhur strukturat drejtuese dhe kryetarin e ri të degës, Avni Arifin.
Duke përshëndetur punimet e këtij kuvendi, kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Aleanca si projekt politik i duhet Kosovës, kurse Aleancës i duhet një degë e fuqishme në Prishtinë.
“Unë kam besim të fuqishëm në strukturat drejtuese të partisë, dhe në ato të degës së kryeqytetit, andaj për asnjë moment nuk do të mungojë përkrahja dhe mbështetja ime për Aleancën e Prishtinës, për Prishtinën, për kryetarin e ri, z. Avni Arifi dhe për të gjithë ju”, ka thënë kryetari Haradinaj.
Kryetari Haradinaj ka falënderuar udhëheqësin e deritashëm të Aleancës për Prishtinën, Besnik Tahiri, drejtuesit e deritashëm dhe të gjithë aktivistët dhe anëtarësinë për punën e çmueshme të bërë në gjithë këtë periudhë.
Kryetari i sapozgjedhur i Degës së AAK-së në Prishtinë, Avni Arifi, ka falënderuar strukturat e partisë, delegatët dhe të gjithë ata që e mbështetën dhe që ia besuan këtë përgjegjësi. Ai ka falënderuar po ashtu kreun e deritashëm të degës, Besnik Tahirin dhe është zotuar për punë të përgjegjshme në çuarjen përpara të vizionit të Aleancës për Prishtinën, për një jetë më të mirë të qytetarit prishtinas dhe për një kryeqytet çfare vërtet e meritojnë prishtinasit.
Arifi ka thënë se besimin i sotëm është një përgjegjësi më shumë dhe se ky kuvend është pikënisja e fuqishme dhe jo përmbyllja e një procesi zhvillimor të Aleancës në Prishtinë.
I ka përshëndetur delegatët dhe aleancistët e kryeqytetit edhe kryetari i deritashëm i degës, Besnik Tahiri. Ai i ka falënderuar të gjithë për punën ebërë bashkë deri më tani, duke thënë se kjo ishte sa sfiduese aq edhe një përvojë e mirë në mirë të vendit dhe të komunitetit. Jam krenar për angazhimin e deritashëm në krye të Aleancës për Prishtinën, por tërheqja ime e sotme nga përgjegjësitë drejtuese, nuk është do të thotë edhe tërheqje nga anagzhimi im aleancist. Me Aleancën, Prishtinën dhe kryetarin Haradinaj do të jemi dhe do të vazhdojmë fuqishëm edhe më tej, në të mirë të Prishtinës, në të mirë të Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është në përmbyllje të procesit zgjedhor nëpër degë, dhe në finalizim të zhvillimeve drejt Kuvendit VII të Përgjithshëm Zgjedhor, që do të mbahet të enjten, më 2 korrik, në Prishtinë.