Avdullah Hoti: Dialogu s’ka alternativë, unë do ta kryesoj

E publikuar: 01/07/2020 12:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

????????????????????????????????????

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se dialogu me Serbinë nuk ka alternativë.

“Më lejoni të them para të gjithë juve dhe qytetarëve të vendit që pavarësisht zhvillimeve që ndodhin, dialogu nuk ka alternativë. Ne duhet të tregojmë përkushtim dhe gatishmëri si shtet që të hyjmë në këtë proces. Kosova është e përgatitur për këtë proces. Është bërë një punë e madhe në qeveritë e kaluara që tash është duke u sistemuar në secilën prej temave të mundshme në procesin e dialogut që sigurisht duhet të fillojë nga tema kryesore që është njohja reciproke”.

Hoti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, e ka bërë edhe njëherë të qartë që ai do të jetë në krye të procesit të dialogut, njofton Klan Kosova.

“Tani jemi duke punuar që të kompozojmë një ekip shtetëror që do ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces, sigurisht kryesuar nga kryeministri – në bazë të kompetencave kushtetuese”.

Shefi i qeverisë kosovare ka bërë të ditur se po krijohen kapacitete shtesë për menaxhimin e pandemisë, derisa ka thënë se trendi i rritjes së rasteve pozitive është në një linjë me vendet e rajonit.

“Në konsultime të ngushta me Ministrin e Shëndetësisë dhe komitetin brenda kësaj ministrie janë duke u krijuar kapacitetet shtesë në Klinikën Infektive, klinikat e tjera dhe spitalet rajonale, por duhet të jemi ekstrem të përkushtuar dhe të disiplinuar për të çuar mesazhin e nevojshëm te qytetarët e vendit për menaxhimin e kësaj situate”.

“Trendi që kemi parë me numrin e rritjeve të rasteve është në përputhje me trendin që e kemi parë në rajon dhe më gjerë të kthimit të një vale të dytë të pandemisë, prandaj jemi të shtrënguar të marrim masat e nevojshme që të menaxhojmë situatën në mënyrë adekuate”./KlanKosova/