Avaria në TC “Kosova A”: Deputetët e pushtetit “i gjuhen” deputetit të opozitës që lajmëroi rastin

E publikuar: 19/10/2024 10:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të premten në Termocentralin Kosova A ka ndodhur një avari, derisa Korporata Energjetike e Kosovës njoftoi se kjo ndodhi për shkak të një lidhje të shkurtër në kabllot e matjeve, e cila ka çuar në shkyçjen e termocentralit. Ndërkohë, i pari që njoftoi publikun për këtë rast ishte deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala.

Shala përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, mëngjesin e së premtes njoftoi:

“Eksplodim i kazanit “bojleri i Albinit”, në Termocentralin Kosova A, Blloku A4. Kjo i shkon për shtati mafisë energjetike, sepse tash na duhet import i energjisë!”.

Nuk vonoi shumë, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nisen me shkrime kundër tij. Ndër ta, Salih Zyba akuzoi deputetin Shala se “me padurim ëndërron eksplodime nëpër ndërmarrje publike”.

“Kutia e njehsorve është djegur, nuk ka pasur eksplodim. Edhe një herë Ferat Shala tregoi se me sa padurim i ëndërron eksplodimet nëpër ndërmarrjet publike, me shpresë se pastaj mund të bërtetë: Albini i ka fajet; mafia energjetike i ka fajet. I gatshëm që me njerëzit e vet të prodhoje sabotime të shtetit e “eksplodime” vetëm për një status në facebook dhe 10 debate televizive.” – shkroi ai.

Një tjetër deputet i pushtetit, Alban Bajrami i reagoi Shalës.

“Në kohën e partisë së Ferat Shalës, një ton qymyr nga KEK është shitur për 8 euro, ndërsa më pas është shitur në Maqedoni për 70 euro ose më shumë. Çdo vit janë shitur së paku 100 mijë ton. Edhe pse askush nuk i peshonte e numëronte kamionët që dilnin nga KEK.

Kjo ndërroi me ndërrimin e qeverisë. KEK filloi të shiste përmes ankandit dhe sistemit të ofertës më të lartë. Kështu një ton qymyr u shit për 49 euro.”

Më vonë, reagoi edhe deputeti i VV-së, Halil Thaçi i cili tha se Shala e të tjerët ëndërrojnë që KEK të ketë vështirësi.

“Ëndrra e Ferat Shales & CO. me pa KEK-un në vështirësi të njejta si Trepça pak më herët, është e pa arritshme.” – tha ai.

Çka tha KEK-u

Përmes një njoftimi për media, kjo kompani ka treguar se njësia A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve.

Sipas njoftimit, kjo njësi është çkyçur nga puna në mënyrë të rregullt.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin se nuk ka vend për shqetësim në lidhje me operimin dhe sigurinë në njësitë e TC Kosova A. Njësia A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve, dhe është çkyçur nga puna në mënyrë të rregullt. Ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar që nga momenti i ndaljes së njësisë dhe po punojnë për sanimin e gjendjes, me qëllim që njësia të kthehet në operim sa më shpejt. Zjarri i raportuar në media ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe I njëjti është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit.” – është thënë në reagimin e KEK-ut.