Kosova do të jetë në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila do të mblidhet këtë fundjavë në Sofje të Bullgarisë.
Me këtë rast, Kuvendi i Kosovës synon ta avancojë statusin e tij nga vëzhgues në anëtar të asocuar të kësaj organizate.
Në komunikatën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s thuhet se deputetët e saj, mes tjerash, “do të vendosin për kërkesat e Maltës dhe të Kuvendit të Kosovës për t’u bërë delegacione të anëtarëve të asocuar”.
Autoritetet e Kosovës bënë të ditur qysh në mars se Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e ka avancuar statusin e Kuvendit të Kosovës në këtë trup.
Në Serbi, Instituti Ndërkombëtar për Siguri u angazhua për ta penguar avancimin e Kosovës në këtë organizatë.
Në një thirrje drejtuar saj, ai tha se konsideron se dhënia e statusit të anëtarit të asocuar Kuvendit të Kosovës, “do të ishte e dëmshme si për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ashtu edhe për proceset e stabilizimit dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”.
“Demokracia në Kosovë nuk është funksionale. Institucionet e saj janë të ngarkuara me një nivel jashtëzakonisht të lartë të korrupsionit dhe praktikave të tjera jodemokratike, ndërsa të drejtat e komuniteteve pakicë, veçanërisht ato serbe, nuk mbrohen”, pretendoi organizata me seli në Beograd.
Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës – së voni edhe kundër anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës.
Organizata serbe tha, po ashtu, se nëntë anëtarët aktualë të asocuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s janë nga “vende të pavarura dhe të njohura ndërkombëtarisht” dhe se “dhënia e të njëjtit status Kuvendit të Kosovës do të ishte një precedent i rrezikshëm”.
Si funksionon Asambleja Parlamentare e NATO-s?
Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.
Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.
Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.
Anëtarët e asocuar – çfarë synon të bëhet edhe Kosova – mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.
Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.
Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë – në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit do të zgjerohej edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.
Në takimin në Sofje, pjesëmarrësit do të priten nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të NATO-s dhe të shtetit bullgar.
Ata do të diskutojnë tema që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë euroatlantike, me fokus në mbështetjen për Ukrainën dhe prioritetet e samitit të sivjetmë të NATO-s, i cili do të mbahet në korrik në Uashington.
“Gjatë seancës, Asambleja pritet të përforcojë qëndrimin e saj të palëkundur për luftën e pajustifikuar, të paprovokuar dhe brutale të Rusisë kundër Ukrainës, të diskutojë ofrimin e ndihmave të menjëhershme dhe afatgjate për Ukrainën, si dhe të miratojë një deklaratë për mbështetjen e Ukrainës deri në fitoren e saj”, bëri të ditur Asambleja Parlamentare e NATO-s.
Kosova dhe NATO-ja
Pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO.
“Anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e bazës së përhershme të forcave amerikane janë nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”, ka thënë ministri i atëhershëm i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj.
NATO-ja nuk e ka komentuar këtë kërkesë të Kosovës, por ka siguruar se misioni i saj paqeruajtës në vend, KFOR, “mundëson trajtimin e menjëhershëm të çdo zhvillimi që mund të ndikojë në situatën e sigurisë”.
Forcat e NATO-s janë të pranishme në Kosovë qysh në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe.
Kosova kufizohet me tri shtete anëtare të NATO-s: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Në radhët e NATO-s janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia, raporton REL.