“Autostrada e Paqes”, pjesë e planeve madhore të investimeve të BE për Ballkanin Perëndimor

E publikuar: 06/10/2020 22:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni Evropian ka dhënë detaje mbi projektet madhore si pjesë e një plani gjithëpërfshirës ekonomik dhe të investimeve për Ballkanin Perëndimor, i cili është miratuar sot.

Janë gjithsej dhjetë projekte madhore investimesh që kanë të bëjnë për mbështetjen e lidhjeve kryesore rrugore dhe hekurudhore në rajon, energjisë së ripërtërishme dhe tranzicionit nga qymyri, rinovimit të ndërtesave publike dhe private për efiçiencën e energjisë dhe për të zvogëluar emetimet e gazeve serë, infrastrukturës së menaxhimit të mbeturinave dhe ujërave të ndotura, si dhe për futjen në përdorim të infrastrukturës së rrjetit brezgjerë.

Në mesin e projekteve do të jenë edhe përfundimi i Autostradës së Paqes në Kosovë, e cila lidh Prishtinën me Nishin në Serbi dhe përshpejtimi i përgatitjeve për ndërtimin e fazës së dytë të sistemit Ibër-Lepenc.

PROJEKTI MADHOR 1 – LIDHJA E LINDJES ME PERËNDIMIN

– Do të përfundohet “Autostrada e Paqes” në Kosovë (që lidh Prishtinën me Nishin në Serbi) me avancimin substancial të pjesës në Serbi.

– Ndërkohë që praktikisht është përfunduar (rrjeti themelor) i korridorit rrugor (Korridori X) jug-lindje, i cila nga Hungaria kalon përmes rajonit dhe del në Bullgari, Greqi dhe më gjerë, me mbështetjen e BE-së do të modernizohet plotësisht korridori paralel hekurudhor. Në veçanti, në këtë kornizë kohore do të finalizohet bajpasi hekurudhor i Nishit në Serbi. Do të avancohet në mënyrë të konsiderueshme projekti për Korridorin X për modernizimin e lidhjes hekurudhore mes Serbisë dhe Kroacisë, e cila shërben si lidhje jetike për sa i përket transportit hekurudhor të mallrave, ashtu si edhe projekti për modernizimin e lidhjes hekurudhore me Maqedoninë e Veriut.

– Do të avancohet në mënyrë substanciale Korridori hekurudhor VIII mes Shkupit dhe kufirit bullgar për lidhjen e Shkupit dhe Sofjes.

– Do të përfundohet ose përparojë çminimi i lumit Sava dhe adresimi i fyteve të ngushta në lumin Danub, me qëllim përmirësimin e modalitetit të transportit të qëndrueshëm të këtyre rrugëve të rëndësishme ujore si pjesë e rrjetit TEN-T, si dhe për të lehtësuar zhvillimin e mëtejshëm të shkëmbimeve ndërmjet modaliteteve.

PROJEKTI MADHOR 2 – LIDHJA E VERIUT ME JUGUN

– Do të kompletohet me standarde të autostradës 75% e korridorit kryesor rrugor veri-jug që lidh kryeqytetet e Evropës Qendrore, duke kaluar përmes Sarajevës në Bosnjë dhe Hercegovinë, me portin e Plloçës në bregdetin Adriatik (Korridori Vc). Do të përmirësohet edhe lidhja hekurudhore përgjatë të njëjtit korridor.

– Do të rehabilitohet plotësisht, nga kufiri i Serbisë deri në det, Itinerari Hekurudhor 4 që lidh Beogradin me Podgoricën dhe me portin malazez të Tivarit. Do të avancohet më tej korridori paralel rrugor, në veçanti bajpasi i Podgoricës.

– Do të zgjerohet lidhja mes kryeqyteteve, nga Sarajeva deri në Podgoricë, duke u lidhur më tej me rrjetet ekzistuese dhe të planifikuara në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe duke siguruar lidhje më të drejtpërdrejta mes fqinjëve.

– Do të modernizohet më tej Itinerari Hekurudhor që lidh Beogradin me Prishtinën përmes punimeve të ndërtimit në Kosovë dhe duke përgatitur dokumentacionin e nevojshëm teknik për punimet e rehabilitimit në Serbi.

PROJEKTI MADHOR 3: LIDHJA E RAJONEVE BREGDETARE

– Itinerari Hekurudhor 2 që lidh kryeqytetet Tiranë dhe Podgoricë, dhe shtrihet deri në portin e Durrësit, është një projekt kyç për rajonin, dhe do të përmirësohet përmes rehabilitimit të 120 km të linjës hekurudhore në Shqipëri drejt kufirit me Malin e Zi.

– Do të ndërmerren hapa madhorë për të përfunduar “Autostradën e Kaltër” përgjatë bregdetit nga Kroacia deri në Greqi: do të përfundohet bajpasi i rrugës së Tiranës dhe dy seksione të tjera në Shqipëri, plus do të avancohet në mënyrë substanciale bajpasi i Budvës në Malin e Zi.

PROJEKTI MADHOR 4 – ENERGJIA E RIPËRTËRISHME

– Do të përfundohet rehabilitimi i Hidrocentralit të Fierzës në Shqipëri dhe do të avancohet ndërtimi i Hidrocentralit të Skavicës, në mënyrë që të rritet potenciali për vendin dhe përfundimisht edhe për rajonin, me qëllim rritjen e eksportit të energjisë elektrike nga energjia e pastër.

– Do të zgjerohet Sistemi Hidroenergjetik Piva në Malin e Zi me fillimin e ndërtimit të hidrocentralit të Komarnicës.

– Do të përshpejtohen përgatitjet për ndërtimin e Fazës II të Sistemit Hidrik Ibër-Lepenc në Kosovë.

– Do të avancohen në mënyrë substanciale investimet në centrale me energji të erës dhe energji diellore në Maqedoninë e Veriut, dhe këto do të shërbejnë si shembull për investime në të ardhmen, duke përdorur potencialet e energjisë së ripërtërishme të rajonit.

PROJEKTI MADHOR 5- TRANZICIONI NGA QYMYRI

– Si pjesë e Gazsjellësit Trans Adriatik, do të përfundohet ndërtimi i gazsjellësit Fier-Vlorë në Shqipëri, dhe do t’i jepet prioritet gazsjellësit Jon-Adriatik përgjatë bregdetit, duke lehtësuar diversifikimin madhor të burimeve të furnizimit me gaz në Rajonin e Ballkanit Perëndim dhe më gjerë

– Do të përfundohet Interkoneksioni i Gazit Bosnjë dhe Hercegovinë-Kroaci, duke e plotësuar diversifikimin e mësipërm dhe duke rritur potencialin dhe diversifikimin e sistemit ekzistues të shpërndarjes së gazit në vend

– Do të fillojë ndërtimi i Interkoneksionit të Gazit Maqedoni e Veriut-Kosovë, dhe do të zgjerohet investimi në vazhdim për Interkoneksionin Maqedoni e Veriut-Greqi.

– Do të përgatitet për ndërtim Interkoneksioni i Gazit Maqedoni e Veriut-Serbi.

– Do të përfundohet Korridori Trans-Ballkanik i Transmisionit të Energjisë Elektrike në Serbi si pjesë e interkoneksionit mes Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, duke siguruar kështu shtyllën kurrizore për shpërndarjen e energjisë elektrike në mbarë rajonin dhe drejt BE-së.

PROJEKTI MADHOR 6 – VALA E RINOVIMIT

Komisioni propozon zgjerimin e “valës së rinovimit të BE-së” në Ballkanin Perëndimor.

Sektori i ndërtimtarisë është përgjegjës për më shumë se 40% të konsumit total të energjisë në Ballkanin Perëndimor. Rinovimi i ndërtesave publike dhe private për të përmbushur standardet minimale të performancës së energjisë mund të japë një kontribut shumë të rëndësishëm në uljen e emetimeve të gazrave serë, të përmirësojë standardet e jetesës së qytetarëve, si dhe shëndetin e tyre. Vala e rinovimit të ndërtesave e zbatuar me ndihmën e Komunitetit të Energjisë do t’i ndihmojë Ballkanit Perëndimor për dekarbonizimin e ndërtesave ekzistuese publike dhe private, duke vendosur theks të fortë në digjitalizim dhe duke marrë parasysh varfërinë energjetike. BE-ja, së bashku me institucionet ndërkombëtare të financimit, do të mbështesin përpjekjet e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të trefishuar shkallën aktuale të rinovimeve dhe kursimet e energjisë në ndërtesat ekzistuese, si dhe për arritjen e standardit gati-zero të energjisë dhe emetimeve në ndërtesat e reja.

PROJEKTI MADHOR 7 – MENAXHIMI I MBETURINAVE DHE UJËRA TË NDOTURA

– Do të përfundohet ndërtimi i impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në Shkup dhe Prishtinë. Këto projekte kanë ndikim të lartë ndërkufitar dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës së popullsisë.

– Do të ndërmerret zbatimi i një programi investimesh mjedisore në Serbi, i cili përfshin projekte të impianteve të modernizuara të trajtimit të ujërave të ndotura për qytete të mëdha dhe të mesme

– Do të vendosen sisteme të integruara rajonale të menaxhimit të mbeturinave në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, duke ecur krah për krah me mbylljen e deponive pa pajtueshmëri mjedisore. Investime të ngjashme në lokacione të tjera në rajon duhet të mbështeten edhe në të ardhmen, duke përfshirë menaxhimin më të mirë të mbeturinave në zonat ndërkufitare.

– Mbështetje për vendosjen e sistemeve të duhura të monitorimit të ajrit dhe ujërave, dhe të masave për parandalim të ndotjes.

PROJEKTI MADHOR 8 – INFRASTRUKTURA DIGJITALE

– Do të vazhdojë zhvillimi dhe shtrirja e infrastrukturës kombëtare brezgjerë në të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor, dhe do të përshpejtohet përgatitja e investimeve të mëtejshme në lokacione të tjera, me fokus të veçantë në lidhjen e zonave rurale.

– Do të krijohen qendra të të dhënave, të sigurta, me efiçiencë të energjisë dhe të besueshme, infrastrukturat edge dhe cloud, ndërkohë që sigurohet përafrimi me rregullat dhe vlerat themelore të BE-së, duke përfshirë mbrojtjen e të dhënave, si dhe ndërlidhjen me nismat e BE-së për kompjuterë me performancë të lartë, inkubatorë digjitalë dhe nyje inovacioni.

– Duke u mbështetur në nisma në vazhdim, siç është Autostrada Digjitale Ballkanike, në kontekstin e ndarjes së infrastrukturës duhet të hulumtohen plotësisht sinergjitë me fusha të tjera të lidhshmërisë, si transporti dhe energjia. Po ashtu, përdorimi qëllimplotë i teknologjisë dhe i të dhënave për të marrë vendime më të mira, ka një potencial të lartë për të siguruar cilësi më të mirë të jetesës për qytetarët e rajonit. Do të sigurohet edhe mbështetje për përshtatjen me zhvillimin e shpejtë dhe transformues teknologjik, në mënyrë që rajoni të mbetet i begatë dhe konkurrues. BE-ja do të promovojë bashkëpunimin global në arsimin digjital përmes Planit të ripërtërirë të Veprimit për Arsim Digjital (DEAP), si dhe do të promovojë barazinë në qasje, në veçanti për grupet e pafavorizuara, përfshirë romët.

PROJEKTI MADHOR 9 – INVESTIMI NË KONKURRUESHMËRINË E SEKTORIT PRIVAT

– Planifikim për rritjen e granteve për mbështetjen e sektorit privat në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor. 50% e financimit të sektorit privat nga BE-ja duhet t’i kushtohet inovacionit dhe rritjes së gjelbër.

– Planifikim për rritjen e kapacitetit të garancive që mbështesin investimet, kryesisht për të forcuar konkurrueshmërinë e NVM-ve dhe për të shtuar krijimin e vendeve të punës, veçanërisht duke iu shërbyer të rinjve, përmes Instrumentit të Garancive të Ballkanit Perëndimor.

– Mobilizim i asistencës për transformimin e qëndrueshëm të sistemeve agro-ushqimore dhe zhvillimin rural në rajon.

PROJEKTI MADHOR 10 – GARANCITË PËR RININË

Garancitë për Rininë është një skemë aktivizimi për të siguruar që të gjithë të rinjve t’u jepet ofertë me cilësi të mirë për punësim, arsimim të vazhdueshëm, praktikë ose trajnim, brenda një periudhe prej katër muajsh pasi të bëhen të papunë ose të lënë arsimin formal.

Projekti madhor për Garancitë për Rininë duhet të zbatohet nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor në përputhje me Garancitë për Rininë të BE-së. Është propozuar që të zbatohet në katër faza, të cilat potencialisht mund të përfitojnë që të gjitha nga mbështetja e BE-së:

Në varësi të miratimit të Kornizës së ardhshme Financiare Shumëvjeçare dhe bazave të ndërlidhura ligjore, Komisioni propozon të mobilizojë deri në 9 miliardë euro për financim të granteve nga Instrumenti për Asistencën e Para-Anëtarësimit IPA III për periudhën 2021-2027 për të mbështetur konvergjencën ekonomike me BE-në.

Përveç fondeve domethënëse të BE-së për rajonin të parashikuara tashmë në kuadër të IPA III, BE-ja synon të sigurojë garanci për të ndihmuar në uljen e kostos së financimit për investimet publike dhe private dhe për të zvogëluar riskun për investitorët: mbështetja përmes Instrumentit të ri të Garancive për Ballkanin Perëndimor ka potencialin të mobilizojë deri në 20 miliardë euro investime gjatë dekadës së ardhshme.

Ndryshe, BE-ja është donatori, partneri dhe investitori më i madh në Ballkanin Perëndimor. Që nga vitet 90-të, BE-ja ka kontribuar me mbi 11 miliardë euro në grante dhe kredi për zhvillimin e infrastrukturës së transportit dhe energjisë në rajon, duke rezultuar në investime prej gati 22 miliardë eurosh.

Në kuadrin e Agjendës së Lidhshmërisë, në vitin 2015 BE-ja zotoi 1 miliard euro shtesë deri në vitin 2020, duke synuar nxitjen e investimeve prej 4 miliardë eurosh dhe krijimin e më shumë se 45,000 vendeve të punës.

Mbi 69.4% e tregtisë totale të rajonit në vitin 2019 ishte me BE-në, duke e bërë BE-në partnerin kryesor tregtar të rajonit, ndërsa kompanitë nga BE-ja janë investitorët kryesorë, duke sjellë rreth 65.5% të investimeve totale të huaja direkte në rajon për vitin 2018.