Raporti e Auditimit të performancës të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), ishte temë diskutimi në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, raporton Ekonomia Online.
Të pranishëm ishin përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe ata të ndërmarrjes publike KOSTT.
Për këta të fundit pati kritika kryetari i këtij Komisioni, Ferat Shala, i cili tha se mungesa e Bordit të KOSTT-it, është e papranueshme, teksa kërkoi që në raportimet tjera të jenë të pranishëm.
Arben Selimi nga zyra Kombëtare e Auditimit tha se ky auditim është kryer bazuar në kërkesën e Kuvendit te Kosovës të datës 12 gusht të vitit të kaluar.
“Kuvendi i Kosovës kishte rekomanduar auditimin e performances se vendimeve te Operatori te Transmisionit, Sistemit dhe Tregut sh.a lidhur me strukturën e brendshme organizative dhe vendimet. Bazuar ne rekomandimet e lartcekura, Zyra Kombëtare e Auditimit ka vlerësuar nëse vendimet lidhur me strukturën organizative te KOSTT janë sipas kritereve te vendosura në legjislacion, statut të ndërmarrjes, rregullore dhe akte tjera që rregullojnë organizimin e menaxhimit te ndërmarrjeve publike ne vend”, tha ai.
Ndërsa Kryesuesi i Bordit të Ndërmarrjes Publike KOSTT, Jeton Mehmeti, lexoi në detaje raportet dhe rekomandimet e ZKA-së, për të cilat tha se nga gjetjet e tyre janë duke u zbatuar.
“Bordi i Drejtorève duhet te siguroj që do ndryshim ne strukturën organizative t’i paraprij një analizë dhe arsyeshmëri e mirëfilltë mbi nevojën për ndryshime eventuale dhe të njëjtat të shqyrtohen dhe miratohen nga nivelet hierarkike te autorizuara për këto vendime. Po ashtu, te ushtroje mbikëqyrje rigoroze ndaj ndryshimeve te rëndësishme ne nivel të kompanisë duke u siguruar te personat përgjegjës për menaxhimin e kompanisë nuk marrin vendime për te cilat nuk janë të autorizuar”.
“Bordi i Drejtorëve dhe Kryeshefi Ekzekutiv duhet te sigurojnë që të gjitha rastet e promovimeve dhe avancimeve ne pozitat e lira ne KOSTT të bëhen përmes konkursit të brendshëm duke respektuar kërkesat e rregullave në fuqi”, tha ai.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, kërkoi që rekomandime te auditorit të zbatohen nga KOSTT, raporton EO.
“Unë mendoj që të gjeturat e ZKA-së duhet që të implementohen, pavarësisht se ju keni vërejtje dhe unë mendoj se kemi Ligj të prokurimit publik, që kërkon të përmirësohen dhe të adresohen ashtu si të gjetura”.
“Te investimet e nënstacioneve, mendoj se janë stërzgjatur dhe dua ta di përse janë stërzgjatur këto punime. Po flas për katër nënstacione”, tha Lekaj.
Ndërsa nga KOSTT-i, thanë se me ardhjen e tyre në krye të këtij institucioni ka qenë zhbllokimi i investimeve kapitale.
“Në momentin që jemi ardhur në krye të KOSTT-it, prioritet i joni ka qenë zhbllokimi i investimeve kapitale. Projekti i Fushë-Kosovës dhe i Ferizajt janë duke u implementuar, ndërsa një tjetër ka përfunduar në OSHP”, tha Mehmeti.