Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar parregullësi dhe shkelje serioze në vitin 2024 në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kryesisht në menaxhimin e financave.
Raporti ka gjetur se subvencionet janë dhënë në kundërshtim me thirrjen publike që e ka bërë MINT, duke iu alokuar mjetet bizneseve para se të nënshkruhej marrëveshje, raporton Infosot.
“Subvencione të dhëna në kundërshtim me thirrjen publike: Në një rast, një përfitues mori subvencion për makineri që ishte blerë para nënshkrimit të marrëveshjes. Në shtatë raste të tjera, pagesa u bë 100% paraprakisht, ndonëse udhëzuesi kërkonte ndarjen në 80% fillimisht dhe 20% pas realizimit të projektit. Kjo ka dëmtuar transparencën dhe besueshmërinë e monitorimit”, thuhet në raportin e auditimit.

Po ashtu ky raport zbardh një sërë shkeljesh serioze të standardeve financiare dhe të ligjit, duke nxjerrë në pah dobësi të mëdha në menaxhimin e burimeve publike dhe funksionimin institucional të kësaj ministrie.
Raporti i auditimit ka gjetur se ka ndodhur mbivlerësim i detyrimeve kontingjente për 403,279 euro. “Një rast ishte regjistruar dy herë si detyrim i mundshëm, duke rritur artificialisht vlerën e tyre në pasqyrat financiare. Kjo ndodhi për shkak të gabimeve teknike nga departamenti ligjor dhe mungesës së koordinimit me sektorin e financave”.
Përveç mbivlerësim, raporti ka gjetur edhe raste të nënvlerësimit të obligimeve në vlerë prej 112 mijë 226 euro. “Fatura për projektin ‘Ndërtimi i infrastrukturës në parkun industrial në Budrigë’ nuk ishte përfshirë fare në pasqyrat financiare, ndonëse punimet ishin pranuar teknikisht. Hezitimi i zyrtarëve për të proceduar pagesën dhe mungesa e komunikimit ndërdepartamental çuan në mosraportimin e këtij obligimi”, thuhet në raport.

Projekti në Parkun Industrial në Budrigë në vlerë 1.7 milionë euro, ndonëse i përfunduar, nuk ishte klasifikuar si pasuri në përdorim, duke shmangur kështu zhvlerësimin dhe duke mbivlerësuar pasuritë në regjistra. Sipas raportit, edhe pse ishte kryer inventarizimi i pasurive, nuk u bë krahasimi me regjistrat ekzistues, duke ngritur dyshime mbi saktësinë e raportimit të pasurisë në pasqyrat vjetore.
Problem për Zyrën Kombëtare të Auditorit janë edhe pozitat që janë mbajtur dhe po mbahen në këtë ministri me ushtrues detyre përtej kohës ë lejuar me ligj.
“Në dy raste, zyrtarët ushtronin detyrën për më shumë se 20 muaj, ndonëse ligji lejon vetëm një maksimum prej 12 muajsh. Një pozicion nuk ishte shpallur fare për rekrutim, ndërsa tjetri kishte dështuar dy herë në procesin e konkurseve”, evidenton raporti.
Në një rast MINT nuk e kishte tatuar fare një person jorezidentë për një pagesë prej mbi 63 mijë euro që ishte angazhuar në cilësinë e eskpertit të huaj.
“Për një pagesë prej mbi 63 mijë euro ndaj një eksperti të huaj, ministria nuk kishte ndalur tatimin prej 5% siç kërkohet me ligj. Kjo ka rrezikuar buxhetin e shtetit përmes mundësisë për gjoba dhe kamata”.
Edhe komiteti i auditimit në MINT nuk ishte funskional ka gjetur raporti. Sipas të gjeturave, ai u themelua vetëm në nëntor 2024 dhe nuk mbajti asnjë takim për atë vit, duke dështuar në mbikëqyrjen dhe mbështetjen e Njësisë së Auditimit të Brendshëm.
Edhe zbatimi i rekomandimeve të vitit 2023, për aditimit paraprak është i dobët. Nga gjashtë rekomandime të dhëna në auditimin e vitit 2023, vetëm tre janë zbatuar plotësisht. Dy rekomandime nuk kanë filluar ende zbatimin, përfshirë harmonizimin e pasurisë pas inventarizimit dhe funksionalizimin efektiv të Komitetit të Auditimit./Infosot/
Raporti i plotë: RAPORTI I AUDITIMIT PËR PASQYRAT FINANCIARE VJETORE TË MINISTRISË SË INDUSTRISË NDËRMARRËSISË DHE TREGTISË PËR VITIN 2024 (2)


















