Audioincizimi i ri e demanton Rilind Gërvallën që tha se AKI nuk ia dha lajmin e Slobodna Bosna

E publikuar: 27/11/2024 17:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot është publikuar edhe pjesa e dytë e audio-incizimit të mbledhjes së Bordit të RTK-së ku Drejtori i televizionit në RTK flet për skandalin me lajmin e “Slobodna Bosna” të publikuar nga RTK ku atakoheshin dy media kosovare.

Drejtori i televizionit publik shpreh gatishmërinë e tij që të implikojë edhe më thellë në aferë zyrtarët e AKI-së, me të cilët është koordinuar për “verifikimin e informatave” rreth skandalit të portalit boshnjak “Slobodna Bosna”.

Gërvalla dëgjohet duke thënë se këta persona mund të ofrojnë shpjegime para anëtarëve të Bordit për çfarëdo që iu intereson pasi të kthehen nga Seminari që vetë Gërvalla aludonte se po mbahej në Bosnje e Hercegovinë.

“Krejt çka kam bërë është në mënyrë zyrtare, asnjë gjë nuk është bërë në mënyrë shoqërore ose ëë.. natyrisht, këta persona kur të kthehen prej atij seminarit, apo kurdo që kanë qenë ata janë të gatshëm me ofru shpjegime edhe më të hollësishme për çkado që ju intereson juve”, deklaron Gërvalla në mbledhjen e bordit.