Policia rrugore në rajonin e Venetos, në Itali, ka përforcuar shërbimet e saj përgjatë autostradës për të gjetur dhe bllokuar një automjet tip “Audi” RS4, të verdhë, me 3 banditë në bord, përgjegjës për një seri vjedhjesh por edhe për aksidentimin për vdekje të një 58-vjeçareje.
Vetura, që në përbërjen e saj ka një motor Lamborghini, ka përshkuar akse të ndryshme rrugore në veri të vendit fqinj me një shpejtësi marramendëse që arrinte deri në 300 kilometra në orë.
Për herë të fundit banditët në bordin e automjetit janë parë në provincën e Viçencës, ku mendohet se kanë dhe bazën e tyre. Ata dyshohet se janë sllavë dhe shqiptarë dhe sipas policisë nuk hezitojnë të përdorin armët për të shpëtuar.
Ndërkohë, i gjithë rajoni i Venetos, sipas agjencisë së lajmeve “ANSA”, është përfshirë nga e ashtuquajtura “psikozë e Audit të verdhë”.
Çështja është kthyer në temë ditë aq sa është krijuar edhe një faqe në Facebook, e quajtur “Audi i Verdhë”, që tregon dhe fotot e tre keqbërësve të filmuar nga një kamera në një stacion hekurudhor.
/ Top Channel