Atletico Madrid në finalen e Champions League, eliminon Bayernin

E publikuar: 03/05/2016 23:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Atletiko e Madridit është finalistja e parë e Uefa Champions League pas një gjysmëfinale kthimi me shumë episode, ku fati dhe pragamitizmi i skuadrës spanjolle luajti rolin e tij, pas një 90 minutëshi të fituar 2-1 nga Bajern, por me golin në fushën kundërshtare kualifikoi skuadrën e Simeones. Dy penallti të humbura, në këtë sfidë, nga një për cdo skuadër, por dhe një triumf të paktën në rezultat i stilit të El Cholos ndaj atij të Guardiolës, që largohet për herë të tretë radhazi në gjysmëfinale duke i dhënë fund kështu dhe përvojës së tij bavareze. Bajerni, që zhvilloi një ndeshje shumë të mirë sa i përket ritmit, sidomos në pjesën e parë, arriti të shënojë i pari me Alonson në të 31-tën, ndërkohë që Thomas Muller 3 minuta më pas nuk realizoi nga pika e bardhë duke mos i dhënë Bajernit një epërsi të dyfishtë që mund të kishte sjellë një tjetër rrjedhë në këtë sfidë.

Atletiko, që shquhet për pragmatizmin e saj përpara porte, në të parën mundësi që ju krijua, barazoi rezultatin me anë të Griezzman në të 54-trën. Bajerni tregoi se gjithsesi mbetet një skuadër gjermane, pavarësisht stilit të tiki-takas, dhe në të 74-trën mori shpresë me golin e LeWandoWskit, por në momentin më të mirë të vendasve, Atletiko fitoi një 11-metërsh jo pak të diskutueshëm me Torresin. Ashtu si Muller dhe spanjolli gaboi nga pika e bardhë. Shpresa që i dha Bajernit, Neuer me atë pritje nuk u konkretizua me gol, me Atletikon e Madridit që siguroi sërish finalen e Uefa Champions League, për herë të dytë në 3 vitet e fundit, në pritje tashmë të finalistes tjetër që do të dalë nga sfida mes Realit dhe Man.City.