Atleti Zyberaj merr medalje nga Tirana për vrapimin Prishtinë-Tiranë në përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë

E publikuar: 28/11/2023 18:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Atleti Erzen Zyberaj, i cili ndërmori aventurën e tij me rastin e 111-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë duke përshkuar 260 kilometra nga Prishtina për në Tiranë, mbërriti sot në kryeqytetin e Shqipërisë.

Ai u prit nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Andi Seferi, i cili e vlerësoi edhe me një medalje.

“Jam shumë i lumtur për respektin nga Bashkia e Tiranës. Normalisht është sfiduese shumë për shkak të kushteve klimatike që ndeshëm, por ia arritëm.” – theksoi Zyberaj.

Ai tha gjithashtu se vrapimi nga Prishtina për në Tiranë për ditën e 111-vjetorit të pavarësisë ka një simbolikë të jashtëzakonshme. Zyberaj u nis paraditen e djeshme nga sheshi “Skënderbej” në Prishtinë për të mbërritur sot në sheshin me po të njëjtin emër në Tiranë ku u zhvillua për herë të parë edhe parada e shqiptarëve të ardhur nga e gjithë bota.