Në një kohë që trendi në botën e futbollit është zgjatja e kontratave për të binduar lojtarët e trajnerët të kërkuar nga klubet e mëdha, te Atletico Madrid pedalojnë në drejtim të kundërt. Bëhet fjalë për trajnerin Diego Simeone, kontrata e të cilit skadonte në vitin 2020 por pas bisedimeve të zhvilluara me drejtuesit, është rënë dakort që marrëveshja të shkurtohet me dy vite deri në 2018-ën. Në këtë mënyrë, për dy vitet e mbetura, paga e argjentinasit përmirësohet ndjeshëm dhe sipas mediave, ai do të jetë trajneri më i paguar në La Liga.
Palët u ulën në të njëjtën tryezë pasi Simeone shprehu dëshirën që të largohet nga Atletico dhe presidenti Miguel Angel Gil gjeti një formulë që mesa duket i kënaq të dyja palët. Simeone dëshironte largimin që në fillim të këtij sezoni, por një gjë e tillë nuk ishte e mundur pasi presidenca e ka ndërtuar skuadrën në bazë të kërkesave të argjentinasit dhe projekti do të vazhdojë për të paktën edhe dy nsezone. Në këtë mënyrë, Simeone do të largohet në vitin 2018 pa u detyruar të paguajë asnjë qindarkë pasi do të jetë një trajner i lirë. Gjatë kësaj vere ishte Paris Saint Germain klubi që këmbënguli për ta transferuar në “Parc de Princes”, por klubi francez nuk pranoi të paguante klauzolën e kërkuar nga pronari Gil dhe në këtë mënyrë, aventura e “El Cholos” në Madrid do të vazhdojë edhe për dy sezone./ss/