Athinë, shkatërrohet banda shqiptaro-angleze që trafikonte kokainë dhe kanabis/ FOTO

E publikuar: 14/01/2016 14:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Athinës ka identifikuar dhe shkatërruar një organizatë kriminale që ishte aktive dhe furnizonte kryeqytetin grek me sasi të ndryshme të lëndëve narkotike. Në prangat e policisë greke ranë dy shqiptarë dhe tre shtetas nga Britania e Madhe.

Shqiptarët e arrestuar janë të moshës 25 vjeç dhe 39 vjeç, të cilët në bashkëpunim me 3 anglezët kultivonin në sera të mbyllura bimë narkotike kanabis sativa dhe kishin një laborator për përpunimin e kokainës. Mes tre britanikëve të arrestuar është edhe një femër 26 vjeç.

Pas hetimeve të policisë, u zbuluan bazat e grupit kriminal të përbërë nga shqiptarë dhe anglezë, që merreshin me kultivimin e drogërave si kanabis dhe kokainë.

Nga operacioni i policisë u sekuestruan 65 bimë narkotike kanabis sativa, 191 gr kokainë, 50 gr kanabis të papërpunuar, një sasi kanabisi e llojit çokollatë, një pistoletë, 1340 Euro, pesë peshore elektronike dhe 7 celularë. Identiteti i të arrestuarve nuk është bërë i ditur.