Një mjegull portokalli pluhuri nga shkretëtira e Saharasë ka mbuluar disa zona të Greqisë, duke krijuar pamje spektakolare dhe duke i shtyrë autoritetet të lëshojnë paralajmërime.
Shërbimi meteorologjik grek tha se kushtet e motit të martën kishin favorizuar lëvizjen e pluhurit nga Afrika dhe kjo po shfaqej në “përqendrime të rritura në atmosferë”, veçanërisht në jug të vendit, sipas CNN.
Pluhuri pritet të ulet gradualisht mëngjesin e së mërkurës, parashikoi shërbimi dhe nga mesdita e tutje do të jetë “i kufizuar në lindje”.
Videot dhe imazhet e shpërndara në internet treguan njerëzit në Athinë, duke vëzhguar mjegullën portokalli nga kodrat pranë kryeqytetit grek.
Të tjerë bënë shëtitje në mbrëmje në qytet dhe ndanë pamjet në mediat sociale.
Meteorologu grek Kostas Lagouvardos postoi në Facebook se Athina dukej si “një koloni e Marsit”.
Retë e pluhurit që lëvizin nga Afrika veriore drejt Greqisë dhe rajoneve të tjera është një fenomen që ndodh herë pas here, duke sjellë pamje të kufizuar dhe duke paralajmëruar për rreziqe të frymëmarrjes.
Nga pluhuri është prekur edhe shteti mesdhetar lindor i Qipros.
Një sistem me presion të ulët mbi Afrikën veriore përfshiu pluhurin mbi Qipro disa herë në mes të prillit, “duke errësuar qiejt dhe duke ulur cilësinë e ajrit”, tha NASA të martën.
Një imazh nga sateliti Terra i NASA-s tregoi pluhurin e zi mbi Qipro më 22 prill. Pluhuri pritej të vazhdonte të kalonte Mesdheun, duke prekur Qipron dhe Greqinë gjatë disa ditëve të ardhshme, tha NASA.
Ndërsa pjesë të Greqisë u kthyen në portokalli, Finlanda është përballur me një javë prilli jashtëzakonisht të bardhë. Dëbora më e madhe se zakonisht në veri të kontinentit e ndaloi transportin publik në të gjithë Finlandën jugore, raportoi transmetuesi publik YLE.
“Moti i frikshëm i prillit” solli më shumë se 20 centimetra borë në disa zona, duke bllokuar tramvajet dhe vonuar shërbimet e autobusëve dhe metrosë në kryeqytetin finlandez dhe duke shkaktuar anulime dhe vonesa fluturimesh në aeroportin e Helsinkit, raportoi YLE të martën.
Ndërkohë, policia në jugperëndim të vendit raportoi aksidente rrugore.
Ndërsa reshjet e borës nuk janë të pazakonta në muajt e dimrit të Finlandës, një zyrtar i shtypit për operatorin e transportit publik të Helsinkit, HSL, Johannes Laitila, i tha YLE-së që një mot i tillë ishte “i pazakontë” për fundin e prillit dhe u kërkoi udhëtarëve të shtynin udhëtimet./Top Channel