Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias viziton në gjysmën e dytë të korrikut Tiranën, në kuadër të një turi ballkanik, por në kryeqytetin shqiptar do të ndalet me një paketë të rëndësishme propozimesh.
Gazeta greke “Kathimerini” shkruan se paketa e ministrit Kotxias në Tiranë do të përmbajë 7 pika, duke nisur me propozimin për një korrigjim teknik të paktit detar të nënshkruar në vitin 2009, pasi qeveria greke nuk pranon një rinegocim të kësaj çështje, por këmbëngul në një zgjidhje politike të problemit.
Pika e dytë e paktit është abrogimi i ligjit të luftës që është miratuar nga qeveria greke që në vitin 1987 por që nuk u dekretua nga presidenti i atëhershëm Kristos Sarxetakis.
Pika e tretë është respektim i të drejtave të minoritetit etnik grek që sipas qeverisë greke janë shkelur rëndë me regjistrimin e popullsisë në vitin 2012, ku pakicës greke iu mohua e drejta për të shprehur kombësinë.
Në këtë çështje Athina do ishte e kënaqur me një anullim të regjistrimit të popullsisë të bërë në vitin 2012 dhe kryerjen e një regjistrimi të ri.
Kërkesë tjetër është ngritja e tre varrezave për të rënët greke të luftës së dytë botërore dhe premtimi nga pala shqiptare se partitë në pushtet nuk do të bashkëpunojnë kurrë me partinë e çamëve të Shpëtim Idrizit.
Në vizitën e ministrit Kotxias në Tiranë, Athina do të angazhohet për të mbështetur integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe do të shprehë vullnetin për një njohje të mundshme të pavarësisë së Kosovës.