Një ish-efektiv policie u ekzekutua me disa plumba pistolete, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ajet Zeqaj, 35 vjeç, ishte pre e një atentati.
Vrasësi e ka pritur të dalë nga një sallë bastesh sportive dhe e ka qëlluar me një pistoletë me silenciator. Zeqaj ishte i shoqëruar me një mikun e tij, i cili i ka shpëtuar plumbave. Duket se ekzekutori e kishte në shënjestër Zeqajn dhe është kujdesur të qëllonte vetëm mbi të.
Viktima nga fshati Qesarat i Tepelenës kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Franca. Policia rrethoi menjëherë zonën, e cila në momentin e vrasjes ka qenë e mbipopulluar.
Miku i viktimës është shoqëruar në polici. Gjatë marrjes në pyetje, ai është shprehur se nuk ka mundur dot të shquajë ekzekutorin, i cili është larguar me shpejtësi.
Gjithsesi, policia pret të nxjerrë prej tij ndonjë detaj më shumë që do ta çojë në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Policia ka shoqëruar edhe një numër të madh dëshmitarësh okularë. Paraprakisht dyshohet se është një vrasje e importuar nga jashtë Shqipërisë.
Vrasja ndodhi 90 minuta pas plagosjes së një biznesmeni, te Komuna e Parisit. Persona ende të pidentifikuar i kishin bërë pritë në hyrjen e pallatit të tij dhe e kanë qëlluar dy herë me automatik.
Biznesmeni Lulzim Kazani është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai ka marrë një plumb në këmbë dhe një në bark, transmeton Top Channel.
Policia tha se nga hetimet e para ende nuk ka përcaktuar qartë motivet e ngjarjes dhe se është në pritje të marrjes në pyetje të të plagosurit për të mësuar detaje të tjera, si edhe nëse i ka njohur atentatorët apo jo. /infosot/